Kandidati për Kryetar komune nga radhët e BDI dhe Iniciativës qytetare Gostivari që dua, sot përmes një konference për media të mbajtur përpara Kazinove në Gostivar, ka hedhur kritika ndaj kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari për shtimin e objekteve të lojërave të fatit.
“41 kazino gjenden në komunën tonë, bastoret sportive as që numërohen. Ne kemi më shumë Kazino sesa kopshte dhe shkolla, më shumë Kazino sesa terrene dhe mjedise sportive. Mjaftë më! Kjo nuk është ajo që duam të shohim në qytetin tonë – ne nuk duam që Gostivari ynë të dominohet nga industria e lojërave të fatit. Ne nuk duam që të rinjtë tanë të shkojnë në kazino, ne duam që ata të studiojnë, të bëjnë sport dhe të shijojnë kulturën. Ne nuk duam që të rinjtë tanë të humbasin paratë e tyre në makinat e fatit, ne duam që ata të kursejnë për arsimin e tyre, për shtëpinë e tyre të parë, për të ardhmen e tyre”, tha Bejta para mediave.
“Taravari ka premtuar në vitin 2017 se do të heqë kazinotë nga qendra e qytetit – asnjë nuk është mbyllur që atëherë, shumë të reja janë hapur. Nuk ishte Taravari, nuk ishte Aleanca – ishte BDI, ajo që mori iniciativën dhe miratoi një ligj të ri në qeveri dhe tani po e shtyn atë në parlament për të zhvendosur kazinotë jashtë qendrave të qytetit dhe larg nga shkollat. Me këtë ligj nuk do të lejojmë funksionimin e kazinove dhe bastoreve sportive më afër se 500 metra nga shkollat. Për Gostivarin kjo do të thotë, se shumica dërrmuese e kazinove dhe bastoreve duhet të largohen nga qendra e qytetit tonë, pasi ditët e “Las Gostivarit” kanë mbaruar. Ne do të ndalojmë industrinë e lojërave të fatit të marrë qytetin tonë”, tha Bejta.