Mbajtja e maskës në klasë gjatë tërë ditës është e vështirë por edhe e dëmshme për nxënësit. Kështu deklaroi Kryetari i Sindikatës së Arsimit Jakim Nedelkov në një intervistë për Radio Evropa e Lirë. Ai thotë se është e vështirë edhe për mësuesit edhe për nxënësit, sepse gjatë tërë kohës nxjerrin dyoksid karboni dhe të njëjtin e thithin përsëri në mushkëritë e tyre.
“Mbajtja e maskës disa orë gjatë ditës në mënyrë të pandërprerë jo vetëm se është e lodhshme por mendoj se është edhe e dëmshme, nga aspekti që nxënësit mbajnë maska nga hyrja deri në dalje nga shkolla, megjithatë të mos harrojmë se edhe mësimdhënësit gjatë gjithë asaj kohe po ashtu mbajnë maska, disa prej tyre mbajnë edhe nga dy maska, gjë që e vështirëson realizimin e mësimit, e vështirëson thithjen e ajrit cilësor, pa dallim nëse ajrohet hapësira apo jo, mësimdhënësit dhe nxënësit gjatë frymëmarrjes nxjerrin dioksid karbon të cilin përsëri e kthejnë në mushkëritë e tyre”, tha Nedelkov.
Ankesat për digjitalizimin e librave për klasat e katërta vazhdojnë si nga prindërit ashtu edhe nga nxënësit. Edhe Nedellkov tha se autoritetet duhet të kenë qasje më reale për këtë problem ndërsa pohoi se jo të gjithë nxënësit janë të pajisur me tablete.
“Nuk ka gjithkund dhe jo të gjitha shkolla kanë tabela të mençura dhe pajisje të tjera digjitale. Për shkak të kësaj arsyeje, qasja ndaj këtij problemi duhet të jetë më reale. Ministria e arsimit del me informacione se ka siguruar, nëse nuk gaboj, 10 mijë pajisje elektronike që do t’u ndihmojnë nxënësve në shkollë. Kishte informacione se një e treta prej tyre tashmë janë shpërndarë, megjithatë dy të treta prej këtyre pajisjeve në fakt nuk janë shpërndarë”, shtoi ai.
Për shkak mungesës së pajisjeve elektronike në disa shkolla nxënësit e klasave të katërta tashmë mësojnë me libra të fotokopjuara, të cilat vet i kanë siguruar. Përveç kësaj ka ankesa edhe nga klasat e tjera, të cilat kanë marrë libra, por ato janë të grisura dhe të shkarravitura.
Për këtë Ndelkov tha se pushteti lokal dhe Ministria e Arsimit duhet të kenë bashkëpunim dhe urgjentisht t’i zgjidhin këto probleme.