Drejtorët e institucioneve publike shëndetësore nuk po e pranojnë dorëheqjen e ministrit Venko Filipçe. Ata vlerësojnë se Filipçe barti mbi supe barrën e përballimit të pandemisë në vend. Ata i kanë dërguar një letër kryeministrit Zaev, ku e cilësojnë të papranueshme largimin e ministrit Filipçe.
Ata shkruajnë se tragjedia në Tetovë ndodhi në kulmin e valës së katër të pandemisë me koronavirus, ku numrat e pacientëve të hospitalizuar dhe viktimave nuk kanë të ndalur, dhe kur i gjithë sistemi shëndetësorë po lufton jo vetëm me koronën, por edhe më të gjitha sëmundjet tjera kronike.
“Tetova na ka prekur të gjithë neve, para së gjithash si njerëz, mjekë dhe si menaxher të institucioneve shëndetësore në shtetin tonë. Nuk jemi imunë ndaj dhimbjes për jetët e humbura. 30 pacientë sot po luftojnë për jetë. Po kurohen në sistem të cilin e vendosi dhe çdo ditë e menaxhon bashkë me gjithë ne Venko Filipçe. Ai në fakt është shtylla e këtij sistemi, sistem i cili u dëshmua se shpëton jetë”, thuhet në letër. /SHENJA/