Partitë politike deri të dielën i kanë anuluar aktivitetet publike lidhur me zgjedhjet lokale 2021, të caktuar për 17 tetor, për shkak të shpalljes së tre ditë zie pas zjarrit që shpërtheu në Spitalin modular për kovid në Tetovë, me ç’rast kanë humbur jetën 14 persona. Megjithatë partitë dhe kandidatët e pavarur, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje duhet t’i respektojnë afatet e parapara nga Komisioni shtetëror i zgjedhjeve (KSHZ).
Mbrëmë në mesnatë përfundoi mbikëqyrja publike në Listën zgjedhore, ndërsa nesër në mesantë skadon afati për parashtrimin e kandidaturave për zgjedhjet deri te Komisionet zgjedhore komunale. Deri të mërkurën, 8 shtator, siç kumtoi KSHZ, 13,916 persona janë kontrolluar në Listën zgjedhore. Kanë parashtruar gjithsej 140 kërkesa për regjistrim në Listën zgjedhore, 31 kërkesa për fshirjen e të dhënave nga Lista zgjedhore dhe 43 kërkesa për ndryshim të të dhënave në Listën zgjedhore. Po ashtu, deri te KSHZ-ja, në e-mail adresën [email protected] janë parashtruar gjithsej 88 kërkesa.