Megjithëse Tetova dhe Gostivari janë qytetet ku më së shumti ka marr hov përhapja e variantit të ri delta të virusit korona, autoritetet shëndetësore vlerësojnë se nuk ka nevojë për karantinimin e rajonit. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në një konferencë të jashtëzakonshme tha sot se janë të mbushura spitalet në rajonin e Pollogut, por në ndihmë do ju vijnë personel mjekësor nga Shkupi, kurse pacientë të tjerë nga atje planifikojnë ti dërgojnë në spitalet e kryeqytetit kur tani kanë shtuar kapacitetet spitalore.
– Advertisements –
Me të vërtetë janë të mbingarkuara spitalet në Tetovë dhe Gostivar dhe pjesërisht në Kërçovë e Strugë. Këtu është e mbushur plot Klinika infektive së bashku me spitalin modular. Mbi 130 pacientë janë të shtrirë, duke përfshirë edhe Institutin e Tuberkulozit. Prej sot do të filloj të punoj me kovid pacientë edhe Spitali në Kozle, ku ka 120 shtretër të furnizuar me sistem të oksigjenimit. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me drejtorët e spitalit të Tetovës dhe Gostivarit, ku për çdo pacient që kanë nevojë për hospitalizim mund ta dërgojnë këtu në Shkup – tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Që nga fillimi i pandemisë kriteri për karantiminim e një zone ka qenë tejmbushja e spitaleve dhe mungesa e personelit mjekësor për të kuruar të gjithë pacientët, por tani ky skenar që është përsëritur në Tetovë dhe Gostivar nuk është i mjaftueshëm sipas autoriteteve qendrore që zona të vihet në një “lock down”. Në karantinë të zonës e kërkuan mjekët që janë në vijnë e parë të frontit, por një gjë të tillë nuk e ka bërë Shtabi komunal i krizës që është forma institucionale veprimit në kushte të jashtëzakonshme. Mjeku Liridon Disha nga Shtabi i Krizës në Tetovës tha se të hënën do mbajnë takim.
Mund të them se Shtabi i Krizës në Komunën e Tetovës me vëmendje është duke ndjekur situatën me pandeminë e Covid-19, mirëpo deri më tani nuk ka vendosur të bëj një kërkesë të tillë. Të hënën kemi një mbledhje ku do të diskutohet dhe do të merren vendime që do zbatohen nga institucionet përkatëse. Ditëve në vijim kemi pasur një fluks më të madh të pacientëve të cilët kanë ardhur me simptome dhe ne jemi të detyruar që ti testojmë ata për arsye se kemi rekomandime nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Ministria e Shëndetësisë. Kontrollet e tjera vazhdojnë njësoj përveç pacientëve që kanë simptome të shprehura të Covid-19 – u shpreh Liridon Disha, Mjek nga Shtabi i Krizës në Tetovës.
Menjëherë pas Shkupit, Tetova dhe Gostivari radhiten me numrin e të diagnostikuarve në bazë ditore në këtë valë të katër të pandemisë. Gjatë 24 orëve të kaluara rreth 300 të prekur kishte nga dy qytetet, ndërkaq dje kishte të vdekur 6 persona. Aktualisht në Tetovë ka 1,668 raste aktive dhe Gostivar 1,373 raste aktive.
Adnan Qaili