Turistët dhe vendasit këto ditë përsëri ishin dëshmitarë të tymit që dilte nga deponia ilegale e Bukovës, ku Ohri me vite grumbullon mbeturinat. Këtë sezon turistik, djegia e deponive është problem i përditshëm. Zjarri ndizet nga persona që mbledhin plastikë dhe metal nga deponia, të cilët nxjerrin sende të vlefshme me vlerë nga gjësendet e hedhura.
SPB vepron, i largojnë njerëzit, por ata duhet të patrullojnë më shpesh sepse kur të kthehen, t’i largojnë përsëri – deklaroi Lupço Grdanoski- drejtor i ndërmarrjes komunale, Ohër.
Disa parti politike gjithashtu kanë reaguar ndaj problemit të pazgjidhur. VMRO-DPMNE-ja opozitare nga Ohri thotë se deponia është ndezur më shumë se tre muaj dhe po shkakton probleme shëndetësore për qytetarët. Për këtë ata e kritikojnë kreun e komunës.
Pse Konstantin Georgieski nuk i zbaton rekomandimet e UNESCO-s me të cilat deponia duhet të ishte mbyllur deri në fund të vitit 2020?” Është e pakuptueshme në shekullin 21 të shohësh deponi që digjet, dhe Georgieski për këtë duhet të ndëshkohet – thonë nga VMRO DPMNE.
Nga Komuna e Ohrit u përgjigjën se e monitorojnë vazhdimisht funksionimin e deponisë dhe se ajo mirëmbahet rregullisht.
Raportet e duhura tashmë janë dorëzuar tek shërbimet kompetente të sigurisë, lidhur me zjarret e fundit, me qëllim që të kryejnë kontrolle më të shpeshta në lokacionin e deponimit. Presim që autorët të gjenden dhe të sanksionohen në mënyrë përkatëse – njoftojnë nga Komuna e Ohrit.
Si alternativë ndaj Bukovës, shteti duhet të ndërtojë deponi rajonale. Por deri më tani nuk ka asgjë nga kjo. Vendasit thonë se këto ditë do të vendosin video-mbikëqyrje 24-orëshe për t’ua vërtetuar autoriteteve se deponia digjet vazhdimisht./Alsat