Variante e ndryshme të virusit korona po përhapen me shpejtësi, ndërkaq brenda 24 orëve u shënuan edhe 296 raste të reja. Megjithëse të dielën u bënë vetëm 3480 teste niveli konstant i të diagnostikuarve pozitiv është afër 10%-it. Ndërruan jetë 8 pacientë dhe 109 u evidentuan të shëruar.
– Advertisements –
Kjo situatë ka bërë që Komisioni për sëmundje infektive të mblidhet për shqyrtimin e gjendjes epidemiologjike. Ministri Filipçe tha se nuk parashikohen masa restriktive si orë policore apo karantinë.
“Është e dukshme që edhe më tej rritet numri i të diagnostikuarve, rritet edhe numri i pacientëve që kanë nevojë për kurim spitalor. Presioni më i lartë është në spitalet e Tetovës dhe Gostivarit si dhe në Strugë. Momentalisht në Tetovë janë të shtrirë 90 pacientë, në Gostivar 70 në repartet interne dhe infektive, që praktikisht janë mbushur kapacitetet, kanë edhe disa shtretër që mund të pranojnë pacientë urgjentë.”- deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Ministri Filipçe mblodhi edhe drejtorët e klinikave për të riorganizuar personelin mjekësor dhe për të përgatitur kapacitete spitalore. Sipas tij, aktualisht repartet infektive po numërojnë shtretërit e fundit. Me urdhër të prerë iu është ndërprerë pushimi vjetor mjekëve, infermierëve dhe personelit spitalor në këtë gjendje të jashtëzakonshme për tu kthyer në krye të detyrës në parandalimin e përshkallëzimit të situatës.
“Megjithatë, për të gjithë pacientët e tjerë që do tu jetë e nevojshme kurimi spitalor duke filluar nga sot do të jetë në dispozicioni Spitali ‘8 Shtatori’ ku ka 2-3 pacientë dhe praktikisht është e zbrazët si dhe spitali modular në Klinikën Infektive, e cila që nga nesër do të rikthehet në funksion. Sot në repartin infektiv të 8 shtatorit dhe nesër 60 shtretër në spitalin modular ku do të ketë shtretër të mjaftueshëm spitalor. Në koordinim me ndihmën e shpejtë do të transportohen në cilëndo pikë të ekzaminimit ambulatorë.”- pophoi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Edhe Komiteti për imunizim ka marr sot rekomandimet e organizatave ndërkombëtare për të bërë planin e zbatimit të dozës së tretë të vaksinimit. Autoriteteve shëndetësore iu është dhënë detyra që të bëjnë listat e pacientëve që kanë marrë dy doza nga fillimi i vaksinimit në pranverë, për ti vënë në prioritet kategoritë e rrezikuara të qytetarëve, që tani më pas 6 muajsh nuk janë të mbrojtur sa duhet nga vaksinat e marra anti kovid. Edhe vaksinimi ka marr hov, ku gjatë javës së kaluar afër 50 mijë qytetarë morën së paku një dozë. Deri më tani mbi 4 mijë fëmijë deri në moshën 18 vjeç janë imunizuar. Aktualisht të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm 35% e popullsisë sonë është e vaksinuar me dy doza.
Përgatiti: Adnan Qaili