Nga sot ka filluar afati për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët të cilët dëshirojnë të kandidojnë si të pavarur, ose për lista të pavarura të kandidatëve për këshilltarë në zgjedhjet lokale. Nënshkrimet do të mblidhen në përputhje me Kodin Zgjedhor ekzistues. Sipas kodit aktual, numri i nënshkrimeve do të varet nga numri të banorëve në një komunë. Pra nëse një komunë ka deri në 10 mijë banorë atëherë kandidatit për kryetar komune ose listës për këshilltar u duhen 100 nënshkrime. Ose nëse një Komunë ka mbi 100 mijë e një banor, atëherë për kandidatët do të duhet 450 nënshkrime. Ndërsa për Qytetin e Shkupit, do të nevojiten 1 000 nënshkrime
“Prej sot fillon mbledhja e nënshkrimeve e cila zgjat deri më 30 gusht në ora 24.00, nënshkrimet mblidhen në njesitë rajonale të KSHZ-së dhe në noter të cilat i zgjedhë vetë përfaqësuesi i listës… Afate të tjera janë, si shqyrtimi publik i Listës zgjedhore i cili fillon prej më 21 gusht dhe mbaron deri më 9 shtator, lista e dorëzimit të kandidatëve më së voni është shtatori në ora 24 dhe e fushata zgjedhore fillon më 27 shtator dhe zgjat deri më 15 tetor”- deklaroi Sinkoron: Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.
Edhe pse ka kohë deri më 11 shtator për dorëzimin e kandidaturave në KSHZ, sot VMRO-DPMNE ka prezantuar 26 kandidatura për kryetar të komunave. Nënkryetari i partisë, Aleksandar Nikollovski deklaroi se për zgjedhjet lokale ofrojnë gjeneratë të re të politikanëve.
Në disa vende shkojmë edhe me përkrahje të intelektualëve të theksuar, doktorë, ekonomistë që njihen në mjedisin e tyre dhe që mund të bëjnë një bashkim më të gjerë. Qëllimi jonë është të bëjmë një pasqyrë të re për politikën, valë të re dhe gjeneratë të re të politikanëve të cilët do të punojnë për të mirën e popullit-pohoi Aleksandar Nikollovski, VMRO-DPMNE.
Nga opozita maqedonase publikuan kandidaturat për komunën Qendër, Kisella Vodë, Gazi Babë, Prilep, Veles e të tjera, por thonë se ende nuk kanë përfunduar procedurat për të vendosur kandidatët për Qytetin e Shkupit. Ndërsa nga LSDM-ja, të cilët po ashtu kanë prezantuar numrin më të madh të kandidatëve, thonë se oferta e VMRO-DPMNE-së nuk sjell risi, gjë që u garanton socialdemokratëve fitore.
“Nuk ka asgjë të re në ofertën e Mickovskit. Jo vetëm që nuk janë të rinj, por një pjesë e madhe e tyre janë që në kohën e Gruevskit, të cilët ose kanë qenë kandidat për këshilltarë, ose kanë pasur funksione shtetërore në nivel lokal ose qendror. VMRO-DPMNE ende nuk ka kandidat të saj për kryetar të Qytetit të Shkupit, ndërsa për Komunën Qendër mbështet kandidate të një partie të vogël partnere e koalicionit”- tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.
Pjesën më të madhe të kandidaturave për zgjedhjet lokale i ka prezantuar edhe BDI-ja, ndërsa nga ASH i kanë publikuar vetëm kandidaturat në komunat të cilat janë duke i udhëhequr. Po ashtu thonë se të gjitha kandidaturat do i publikojnë deri në fillim të shtatorit.