Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të martë përpara ministrave të tij dhe titullarëve të autoriteteve të ndryshme kontraktore paketën e re të prokurimeve publike.
Rama solli shifra dhe tha se Agjencia për Prokurimin Publik ka dërguar rekomandime në rastet kur kanë rezultuar problematika.
Ai u shpreh se 21% e institucioneve nuk kanë kthyer përgjigje. Për këto raste, Rama pati një paralajmërim të fortë duke thënë se do të jetë vetë Kryeministria që do t’i çojë në SPAK.
“Ama sikur në një rast të vetëm rekomandimet të bien në një vesh aq të shurdhët sa mos të ketë më fare përgjigjemi, a thua se Agjencia mbyll letra në shishe dhe i hedh në det që dallgët t’i nxjerrin ku t’i nxjerrin, çdo rast i tillë do të shkojë në SPAK dhe do shkojë në SPAK nga kjo godinë këtu. Pastaj a është i qëllimshëm, a është thjesht injorancë në raport me etikën shtetërore, këtë çështje indeferentët përkatës ta shpjegojnë duke marrë avokat me vete”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, për tenderat ka një nivel të ulët të kuptimit të procesit dhe kjo krijon një efekt zinxhir që sipas tij sjell rezultate të shëmtuara.
Rama u shpreh se shteti shqiptar mund të kalojë në një nivel tjetër në fushën e prokurimeve publike. Ajo që duhet bërë sipas tij është që institucionet të mos funksionojnë si bajrake, por si hallka të një sistemi.