Numri i vogël i të infektuarve në nivel ditor ka shkaktuar edhe rimëkëmbjen e ekonomisë. Aktiviteti afarist i kompanive është përmirësuar krahasuar me periudhën e kaluar kurse tregues për këtë janë indikatorët e shumtë ekonomik. Por, kompetentët shprehen se me kujdes duhet të kalohet kjo pjesë e vitit dhe nëse ka valë të re të virusit, të jemi të gatshëm.
Konsideroj që kjo na jep mundësi që të përgatitemi më mirë, por gjithashtu se na jep mundësi që së bashku me Odat ekonomike dhe faktorët e tjerë, të përgatitemi për ndonjë valë eventuale potencial në vjeshtë, që atë ta kalojmë sa më lehtë”, tha Fatmir Bytyqi- zv/ kryeministër i ekonomisë.
Nga Lidhja e odave ekonomike për Alsat shprehen se fakti që numri i të vaksinuarve nuk është i mjaftueshëm ndërsa kemi edhe raste me llojin indian të korona virusit, rreziqe ka edhe më tej. Sipas gjendjes në të cilën është sektori real, ndërmarrjet kërkojnë të anulohet afati për kthimin e kredive, që u miratuan përmes bankës zhvillimore si dhe të aplikohen masa më afatgjatë për mbështetjen e sektorëve më të goditur. Ato, edhe pse kanë aktivitetet të shtuar afarist, edhe më tej nuk kanë qëndrueshmëri të duhur.
T’i kujtojmë dy kërkesat tona të rëndësishme. E para, për heqjen e shpenzimeve parafiskale dhe e dyta, për marrjen e hapave serioz për luftën e ekonomisë gri”, thonë nga Lidhja e odave ekonomike.
Deri më tani, Qeveria për ekonominë dhe qytetarët ndau gjashtë pako me masa anti- krizë. Vlera e pakove sipas Qeverisë kap vlerën prej 1,2 miliardë euro. Megjithatë, biznesmenët ankohen se sektori privat në vend ka marrë më pak ndihmë financiare gjatë pandemisë, krahasuar me shtetet e rajonit.