Në prag të festës së “7 Marsit” ditës së mësuesit, shkolla fillore “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” në fshatrat Poroj, Xhepçisht dhe Gjermë ka organizuar një aktivitet kulturor, ku në hapësirat e kësaj shkolle është hapur një ekspozitë me fotografi të pishtarëve të arsimit, mësimdhënësve, dhe nxënësve të cilët ndër vite kanë dhënë kontributin e tyre për këtë shkollë.
Në këtë aktivitet përveç veteranëve të arsimit, mësuesve të kësaj shkolle dhe nxënësve ka marrë pjesë edhe zëvendës-ministri i arsimit dhe shkencës Arbër Ademi, si dhe kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi e shoqëruar nga bashkëpunëtorët e saj nga sfera e arsimit. Rreth historikut dhe rëndësisë së “7 Marsit” para të pranishmëve referat lexoi drejtori i kësaj shkolle Naim Kurtishi.
Me këtë rast mësuesit e kësaj shkolle me fjalë rasti i përshëndetën dhe uruan edhe kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi dhe zëvendës-ministri Arbër Ademi.
Ky aktivitet është shoqëruar edhe me disa pika muzikore të luajtura në disa instrumente nga nxënësit e kësaj shkolle, përderisa drejtori i shkollës, kryetaren e komunës dhe zëvendës-ministrin i ka nderuar edhe me nga një mirënjohje./artchannel/