Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot do të shënojë hapjen e ceremonisë për festimin e 65-vjetorit të themelimit.
Oktaj Hasani, sekretar i Departamentit të Historisë, në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, ka pohuar se e gjithë ceremonia do të fillojë nga ora 16:00 në Amfiteatrin e Fakultetit.
Sipas tij, të ftuar janë përfaqësues të institucioneve shtetërore, partnerë të Fakultetit Filozofik, organizata të shoqërisë civile dhe përfaqësues të ambasadave të shteteve të huaja në Kosovë.
“Pra, do të jetë një aktivitet ceremonial që do të përcillet edhe nga dy ligjërata hapëse nga akademikët Rexhep Ismajli dhe Muhamedin Kullashi. Nesër janë paraparë sesione shkencore, me përfaqësues nga Akademia e Vjenës e deri te profesorët nga Kosova, Shqipëria dhe vendet e rajonit,” ka thënë Hasani.
I njëjti tha se do të ketë akademikë edhe nga Zagrebi dhe Ljubljana për sesionet shkencore.


