
Hana Bytyqi 43-vjeçare nga Prizreni dhe 55 vjeçari Bekë Gashi nga Peja tash e tetë vite janë përballur me probleme sa i përket kujdestarisë së dy fëmijëve, vajzës dhe djalit njëri 13 dhe tjetri 11 vjeç. Të dy për këtë ngjarje kanë dhënë dy versione krejt të ndryshme, shkruan Gazeta Express.
Gazeta Express
Gazeta Express ditë më parë ka raportuar se Hana Bytyqi, nënë e dy fëmijëve nga Prizreni, por, që jeton në Gjermani pas tetë viteve ka arritur që të takojë për herë të parë fëmijët e saj, që nuk i ka takuar më shumë se një dekadë.
Ajo ka rrëfyer se ato ia kishte rrëmbyer ish-bashkëshorti derisa djalin dhe vajzën nuk i kishte parë për gati një dekadë.
Por, një histori tjetër për këtë temë, e ka babai i dy fëmijëve, Bekim Gashi. Ai në një prononcim për Gazetën Express po pretendon se arsyeja e ndarjes së tij me Hana Bytyqin ishte kjo e fundit.
I njëjti po e akuzon ish-bashkëshorten se ka probleme mentale, e shton se ajo ishte personi që për një kohë të gjatë kishte ushtruar dhunë ndaj tij dhe fëmijëve e kjo kishte qenë një nga arsyet e shkurorëzimit.
55-vjeçari nga Qyshku i Pejës, pretendon se tetë vite më parë kur ishin kthyer për në Kosovë me ish-gruan e njëjta ia kishte lënë fëmijët dhe nuk ishte kthyer asnjëherë që t’i takonte.
Të njëjtët iu janë marrë nga policia e Kosovës, e ditë më parë së bashku me nënën kanë udhëtuar për në Gjermani. Gashi thotë se që nga ajo ditë nuk ka pasur asnjë kontakt me ta.
Bekë Gashi ka thënë se në momentin kur policia erdhi që t’ia merrte vajzën dhe djalin, nuk kishin pasur asnjë vendim të gjykatës.
“Duhet me i pa fëmijët në emër të zotit, duhet me u kriju sa më shpejtë kontaktet. Mu më kanë thënë se më janë marrë fëmijët me vendim, kur të shkoj në gjykatë s’ka vendim, ku është vendimi. Ku janë fëmijët e mi, ska vendim të gjykatës për ekstradim, s’ka kurgjo”, thotë ai, derisa, ish-gruaja sqaron se ekziston një vendim nga autoritetet gjermane që ia jep kujdestarinë asaj.
“Ne kemi të drejtë me e ditë qysh është gjendja e fëmijëve”, thotë Bekë Gashi.
Në anën tjetër, Gjykata Themelore në Pejë, në një përgjigje për Gazetën Express ka bërë të ditur se Gashi ka në gjykatë një lëndë të natyrës civile.
“Në Gjykatën Themelore në Pejë, Bekë Gashi ka një lëndë të natyrës civile – kontestimore me bazë juridike ndryshim i vendimit të përkohshëm për besimin e të miturve në ruajtje, edukim dhe mbajtje dhe vendimit mbi vendqëndrimin e përkohshëm të tyre. Lënda është ende duke u gjykuar, seanca e radhës është caktuar në muajin shkurt”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Pejë.
Ndryshe, pas një vendimi të autoriteteve gjermane, këta të fundit në bashkëpunim me policinë në Kosovë kanë gjetur fëmijët ditë më parë, derisa, ata së bashku me Hana Bytyqin janë tashmë në Gjermani.
Si kishte ndodhur krejt ngjarja sipas Hana Bytyqit?
Vite më parë, përmes një mesitnie që ishte nisur nga familjet, Hana Bytyqi do të takohej me Bekë Gashin. Të dy këta, Bytyqi nga Prizreni, e Gashi nga Qyshku i Pejës, ishin martuar, e jeta pas martesës për ta nuk do të vazhdonte e lehtë. Problemet do të nisnin, kur Bytyqi do të shkonte së bashku me djalin e saj për të jetuar në Gjermani, aty ku jetonte edhe ish-bashkëshorti, Gashi.
Në një rrëfim për Gazetën Express, Hana Bytyqi tha se që kur ishte zhvendosur në Gjermani, për të kishte filluar dhuna.
“Jemi njoftu përmes familjeve, më vonë unë së bashku me djalin kemi ardhë në Gjermani. Aty ka fillu dhuna edhe një jetë jo e lehtë, më vonë më ka lindë edhe vajza, por, që situata në mes neve nuk ka ndryshu”, thotë ajo.
Për vite të tëra, sipas rrëfimit të Hana Bytyqit ajo duroi dhunën, e këtë e bëri për hatër të fëmijëve. Por, kur dhuna u bë a pa durueshme, 43-vjeçarja kërkoi ndihmën e policisë.
Hana Bytyqi e Bekë Gashi ishin divorcuar e fëmijët i kishin mbetur asaj me vendim të Gjykatës. Ajo po thotë se gjykata kishte vendosur që ish-bashkëshorti të ju qëndronte larg fëmijëve, por, që ata të mos rriteshin pa praninë e babait vendosi që banesat ku do të jetonin pas ndarjes të ishin jo shumë larg njëra tjetrës.
Kërcënimet nuk ishin ndalë as pas ndarjes. Bekë Gashi, nën kërcënimet se do t’ia vriste familjen, në maj të 2011-tës, do ta detyronte Hana Bytyqin që së bashku me të të vinin në Kosovë.
“Më ka kërcënu që më vret familjen e jam detyru me u kthy në Kosovë. Kur kemi zbrit në Aeroport të Prishtinës ka fillu tmerri. Prej atëherë nuk i kam pa me sy fëmijët”, rrëfen ajo.
43-vjeçarja shton tutje se nuk ka lënë derë pa trokitur për t’i gjetur fëmijët, megjithatë, thotë se tash e tetë vite nuk ka marrë asnjë informacion për fatin e tyre.
Çdo vit, Hana Bytyqi rrëfen se për ditëlindjet e fëmijëve kthehet në Kosovë, atyre ju dërgon edhe dhurata në ditëlindje, por, që shton se këto kurrë nuk arrijnë në destinacion.
Tash e sa vite ajo po kërkon zgjidhje nga gjykatat. Burrin e ka paditur edhe në Gjermani e edhe në Kosovë.
43-vjeçarja për Gazetën Express thotë se shpreson që sa më shpejtë të gjejë një zgjidhje, e për këtë ka kërkuar ndihmë edhe përmes një shkrimi në Facebook.
Në shkrimin e saj, ajo pohon se kur kishte shkuar për të lajmëruar rastin në Polici të Pejës, kishte marrë vetëm ofendime e injorime.
“Që tetë vite s’kam lënë derë pa trokit në Organet e Drejtësisë së Kosovës, e ajo çka kam marrë kanë qenë ofendimet e injorimit, e bile një polic nga Peja më ka thënë” Qysh po don t’i mi marrë fëmijët kur ish-burri yt në këtë stacion policie 30 mijë euro i ka pagu e t’i pa dhanë kurgjo po don me i marrë”, ka shkruar ajo.
Deri më tani ajo ka vetëm disa spekulime të personave që i thonë se ish-burri e të dy fëmijët mund të jenë duke jetuar në Shqipëri, e fëmijëve iu janë ndërruar emrat./GazetaExpress/



