Ata do të duhet të shqyrtojnë kërkesën dhe nevojën për ndërtimin e shkollave të reja në fshatrat e kësaj komune, pasi që kohë më parë është premtuar shkollë fillore në fshatin Çajlane-Semenishtë, gjë që nuk është realizuar ende.
Gjithashtu kjo komunë ka nevojë edhe për ndërtimin e poliklinikës, ngase banorët e kësaj komune më së afërmi e kanë atë të Gjorçe Petrovit, e cila është mjaft larg nga disa fshatra të kësaj komunë. Mungesa e kopshteve për fëmijë gjithashtu është problem i kamotshëm në këtë komunë. Fshati Kondovë është ai në të cilin u premtua një kopsht për fëmijë po i njëjti nuk u realizua, gjithashtu mungesë të kopshteve kanë edhe fshatrat tjerë të kësaj komune, që shpresojnë që kryetari i ardhshëm i kësaj komune do të dëgjojë kërkesat e tyre dhe do të investojë në arsimin parashkollor.
Rrugët e Sarajit po ashtu kanë nevojë për investime dhe për rregullime. Premtimi për ndërtimin e rrugës alternative për fshatin Radushë mbeti i parealizuar, gjithashtu ka ngecur edhe rikonstruimi i dy rrugëve lokale Saraj-Bojane dhe Kondovë – Radushë. Po ashtu nuk u zgjerua edhe rruga kryesore e Sarajit, barrë këto që ngelen mbi supe të kryetarit të ardhshëm të kësaj komune.