Sipas kreu te Policisë Toshkovskit, ky është një nga rastet më të tmerrshme të dhunës së të miturve në vend.
“Si shoqëri duhet ta analizojmë këtë çështje më thellë dhe duhet të ketë një përgjigje më të gjerë institucionale – nga ministritë kompetente, por edhe nga të gjithë faktorët shoqërorë”, tha ministri i Punëve të Brendshme.
Të gjithë pjesëmarrësit në incidentin në lagjen Çair të Shkupit, ku një fëmijë 13-vjeçar u plagos me thikë, janë siguruar nga policia, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Ai sqaroi se gjithsej janë ndaluar pesë persona.
Sipas ministrit, fëmija i plagosur ndodhet në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe po lufton për jetën.
“Një person aktualisht është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe po lufton për jetën. Bëhet fjalë për një të mitur, ndërsa sipas informacioneve fillestare të marra nga shërbimet e Ministrisë, edhe personi që e ka kryer veprën penale është i mitur. Fëmija me lëndime të rënda trupore dhe fëmija që ia ka shkaktuar ato janë të së njëjtës gjeneratë, të lindur në vitin 2012”, deklaroi ministri.
Toshkovski e vlerësoi ngjarjen si një rast jashtëzakonisht të rëndë dhe tha se raste të tilla të dhunës së kryer nga të miturit janë sfidë jo vetëm për vendet si Maqedonia e Veriut, por edhe për shtetet e mëdha dhe të zhvilluara anëtare të Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se reagimi penal dhe shoqëror ndaj veprave të rënda të kryera nga të miturit është shumë ndryshe nga ai ndaj personave madhorë.
“Duhet të kemi një përgjigje më të gjerë institucionale – nga ministritë kompetente dhe nga të gjithë faktorët shoqërorë: prindërit, qendrat sociale, MPB-ja, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Ministria e Arsimit, qendrat shëndetësore dhe Ministria e Shëndetësisë. Vërtet, ky është një nga sfidat më të tmerrshme me të cilat përballemi”, tha Toshkovski.



