Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Koce Trajanovski, deklaroi se deri më 11 ose 12 korrik do të vihet në funksion segmenti nga Vrbjani deri në Ohër, me përjashtim të pjesës te Botuni, ku – siç sqaroi – ka reshqitje të mëdha që duhet të stabilizohen. Kështu, siç kishte paralajmëruar më herët edhe kryeministri Hristijan Mickoski, 40 kilometrat e para të autostradës Kërçovë–Ohër pritet të hapen muajin e ardhshëm.
“Qytetarët, turistët, të gjithë ata që vijnë, udhëtojnë drejt Ohrit apo kthehen prej aty, do të mund të ngasin mbi asfalt të ri. Ndërprerja te Botuni është për shkak se rruga duhet të kalojë në anën e djathtë të fshatit, ku ka pjerrësi të mëdha dhe rrëshqitje të mëdha që duhet të stabilizohen. Rrëshqitjet te Botuni janë të lidhura edhe me ato mes Kërçovës dhe Vrbjanit. Ne po punojmë intensivisht me Fakultetin e Ndërtimtarisë, me kompaninë kineze, janë bërë hetime gjeologjike dhe rreth 6.5 kilometra shpime për të kuptuar përbërjen e tokës, sepse pjesa më e madhe është e paqëndrueshme. Hetimet gjeologjike janë drejt fundit – rreth 40% janë përfunduar. Në bazë të tyre, projektuesit po krijojnë modele dhe tipe mbrojtjeje për këto pjerrësi, për stabilizimin e tyre,” – tha Trajanovski për televizionin Sitel.
Për sa i përket zgjidhjes për problemin te Botuni, Trajanovski theksoi se sot do të mbahet një takim i rëndësishëm, me qëllim të përzgjedhjes së modelit tipik të mbrojtjes për ato pjerrësi, dhe shumë gjasa është që të përdoret sistemi i galerive. Ai sqaroi se ka rreth 14 pjerrësi shumë problematike, si dhe rreth 21 më pak problematike, të cilat gjithashtu duhet të mbrohen, dhe shprehu bindjen se pjesa më e madhe e tyre do të stabilizohet brenda këtij viti.
Po ashtu, deri në fund të muajit pritet të hapet për përdorim edhe segmenti ekspres Drenovë–Farish, ku Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore është duke punuar në largimin e shkëmbinjve të rrezikshëm. Trajanovski theksoi se vetëm në dy pjerrësi janë hequr 27 mijë metra kub dhe, që të sigurohet një sipërfaqe e rrafshët nga të dyja anët e asfaltit (nga 2 metra majtas e djathtas).