Fillimi i mundshëm i negociatave me BE-në nuk varet vetëm nga zgjidhja e mosmarrëveshjes së emrit, tha Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani në emisionin 360 Gradë. Deklarata e tij pasoi fjalimin e përmbajtur të presidentit francez Makron mbi dinamikën e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, e cila ka të bëjë me Ballkanin Perëndimor.
Në pjesën e NATO-s rezerva ka vetëm Greqia, meqë ky është proces prej një hapi që nuk mund të pengohet më tutje. Dhe nëse Greqia është dakord për zgjidhjen atëherë ne nuk kemi problem tjetër për NATO-n. Te çështja e BE-së, nuk kemi problem apo rezistencë nga Greqia, por dalin në shesh dilemat e disa vendeve anëtare, jo lidhur me çështjen e Maqedonisë dhe Shqipërisë, por për çështjen e zgjerimit si proces – deklaroi Bujar Osmani – zv/kryeministër për çështje evropiane.
Sipas nënkryetarit të VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikolovski, edhe nëse ka një zgjidhje për emrin javën e ardhshme, në samitin e BE-së në qershor nuk do të ketë vendim pozitiv për Maqedoninë, të cilin ai e konsideron si një dështim të të gjithë procesit të negociatave për emrin.
Në qershor, vendimi do të shtyhet për në dhjetor. Pra, ne me një mosmarrëveshje të zgjidhur për emrin, me nënshkrim, si duket edhe me një marrëveshje për të ndryshuar kushtetutën, sepse të gjitha sinjalet shkojnë drejt kësaj, ne nuk do të marrim asnjë vendim zyrtar se cila do të jetë data. Dhe data nuk është të nesërmen, këtë le ta dijë publiku. Për shembull, në qershor mund të thuhet se negociatat do të fillojnë në qershorin e ardhshëm. Në qershor, nuk do të ketë as vendim të tillë, por do të shtyhet marrja e vendimit për në dhjetor – deklaroi Aleksandar Nikolovski – nënkryetar i VMRO DPMNE-së.
Nikolovski theksoi se qeveria aktuale është tematike; ajo merret vetëm me çështjen e emrit dhe me integrimin evropian, dhe në kurriz të kësaj, i harroi reformat, të cilat sipas tij, janë vendimtare kur vendoset nëse do të peshojnë më shumë kushtet reformuese apo ato politike për anëtarësim.
Alsat