Prokuroria filloi me prezantimin e provave kundër ish gjyqtarit të Apelit Gjoko Ristov, i cili ngarkohet se ka fshehur dhe pastruar para. Listën e provave, Iskra Haxhivasileva e nisi me deklarimin e pasurisë, ndërsa u ndal në detaje te akti i bastisjes dhe gjetjes së 350 mijë eurove të fshehura në një bunker special në mur te shtëpia familjare. Organi i akuzës është vënë në aksion pas informatave operative, por edhe denoncimeve ndaj Ristovit, e sidomos pas skandalit ku ish Avokati i Shtetit u kap në flagrancë duke marrë para të destinuara për ta korruptuar gjyqtarin Ristov, me qëllim që të lirohet nga paraburgimi i kërkuari nga drejtësia Lupço Pecov i njohur si “Djalli”.
Më 17 janar të këtij viti, ekipi hetues i troket në derë babait të gjyqtarit Ristov, Zdravko, i cili jeton në një shtëpi dykatëshe në Negotinë. Zdravko i cili mirëpret hetuesit që i tregojnë urdhrin, ndaj pyetjes për të deklaruar gjësende me vlerë, thotë se nuk posedon asgjë. Zyrtarët fillojnë me katin e parë, ndërsa në hapësirën e garazhit, u vret syrin një qese najloni me glet-masë dhe ngjitës për pllaka, e cila siç shihej në fotografi ishte e hapur. Babai u thotë hetuesve se nuk ka pasur ndonjë aktivitetet ndërtimor në shtëpi dhe se ndoshta djali Gjoko e ka sjellë dhe e ka lënë këtu. Duke kontrolluar, hetuesit gjejnë edhe një vend tjetër ku shtresa e betonit duket e njomë dhe për këtë e thyejnë dhe gjejnë një vrimë, por të zbrazët. Për shkak të gjendjes shëndetësore dhe errësirës, bastisjet kanë mbaruar për atë ditë, ndërsa është siguruar objekti.
Të nesërmen hetuesit vazhdojnë kontrollin në katin e dytë. Te pjesa e kuzhinës, pas frigoriferit, hetuesit vërejnë diçka të pazakontë. Disa pllaka të ngjitura në mënyrë amatore,. Ndërsa dyshimi është shtuar, për shkak qeses me ngjitës për pllaka që një ditë më parë e kishin gjetur të hapur në garazh. Me llambë dore, doreza dhe çekiç, njëri prej hetuesve fillon t’i heqë pllakat, ndërsa e shpon një vrimë në mur. Me anë të kamerës endoskopike, kontrollojnë brendësinë e murit. Derisa vazhdojnë të godasin murin, bie një pako në formë cilindrike e mbështjellë me fletë alumini. Në video shihet se hetuesi e hapë, ndërsa shihen paratë. Me këtë rast hetuesit e kanë pyetur babanë e gjyqtarit Gjoko se të kujt janë këto para. Babai është përgjigjur se ndoshta janë të djalit të tij Gjoko i cili është gjyqtar dhe e shfrytëzon katin e dytë të shtëpisë. Hetuesit kanë vazhduar me kontrollin ndërsa kanë gjetur gjithsej 13 forma cilindrike në të cilat ka pasur gjithsej 350 mijë euro në prerje të ndryshme. Krahas saj ka pasur edhe disa fletë të fletores në të cilat me shkrim me dorë janë të shkruar numra të caktuar të lëndëve gjyqësore.


