Gjykata Supreme edhe zyrtarisht konfirmoi se më datën 30 maj të këtij muaji është caktuar seancë publike për rastin “Monstra”. Seanca publike vjen me kërkesë të të akuzuarve që u dënuan me burgim të përjetshëm. Disa herë radhazi, avokatët pohonin se i tërë rasti i vrasjes së pesëfishtë tek Liqeni i Smilkovës është rast i montuar dhe se në të janë përfshirë edhe funksionarë të lartë shtetëror.
Lideri i LSDM-së nga ana tjetër premtoi se përmes “bombave” do të kuptohet e vërteta për vrasjen e tmerrshme tek Liqeni i Smilkovës.
Ndryshe, për rastin “Monstra”, gjashtë persona janë dënuar me burg të përjetshëm. Më 12 prill të vitit 2012, të Premten e Madhe, afër Liqenit të Smillkovës, u vranë katër djem të moshës prej 18 deri 21 vjeç nga lagjja e Shkupit Radishan – Filip Sllavkovski, Aleksandar Naqevski, Cvetanço Ackovski dhe Kire Tërpkovski, si dhe 45-vjeçari Borçe Stevkovski nga fshati Creshevë.
Për vrasjen e pesëfishtë në rastin “Monstra”, u akuzuan dhe dënuan me burg të përjetshëm Alil Demiri, Afrim Ismailloviq, Agim Ismailloviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta. Vetëm i akuzuari i pestë, Sejdi Rami mori aktvendim lirues, për shkak të mungesës së dëshmive të fuqishme për konstatim të fajit./Almakos

