Deri në orën 07:30 të mëngjesit të sotëm, 27 gusht, në vend janë regjistruar gjithsej 31 zjarre në ambiente të hapura, njofton Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).
Sipas të dhënave të QMK-së, katër zjarre janë ende aktive, tre janë nën kontroll, ndërsa 24 janë shuar.
Zjarret aktive janë raportuar në komunat Studeniçan dhe Zelenikovë, në komunat Gostivar dhe Makedonski Brod, si dhe në Komunën e Çashkës dhe në territorin e Komunës së Strugës, në fshatin Frangovë. Në këto zona po digjen kryesisht pyje të ulëta dhe bimësi e ulët.
Ndërkohë, zjarret që janë nën kontroll janë regjistruar në Komunën e Kërçovës, në fshatin Tajmishtë, në Komunën e Dellçevës, ku zjarri ka përfshirë një deponi me mbeturina, si dhe në territorin e Komunës së Brvenicës.
QMK-ja vijon të monitorojë situatën dhe koordinon aktivitetet për përballimin e zjarreve në terren.
The post 31 zjarre në vend, 4 ende aktive: Po digjen pyje dhe bimësi e ulët appeared first on TV-SHENJA.


