Gjykata Themelore në Gostivar ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për tre të dyshuarit, Artan Asani, Leon Uredini dhe Vadedin Dervishi, të cilët mbajnë pozita drejtuese në ndërmarrjen komunale të Gostivarit. Ata dyshohen për përgjegjësi në lidhje me epideminë e helmimit nga uji i pijshëm në komunë, si dhe për instalimin e paligjshëm të pompave në një kanal kullues, që sipas hetimeve ka shkaktuar përzierjen e ujit.
Vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Gostivarit, Qirko Mihajlloski, i cili pranoi propozimin e Prokurorisë Publike për caktimin e paraburgimit.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Gostivarit, njëherësh gjyqtare penale, Dragosllava Veselinova, në konferencën e sotme për media bëri të ditur se për secilin nga të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, me vendimin KPP 237/26. Ajo shtoi se vendimet tashmë u janë dorëzuar të dyshuarve dhe masa do të vuhet në Burgun e Shkupit.
Sipas Veselinovës, paraburgimi është caktuar për shkak të peshës së veprës penale dhe rrezikut që të dyshuarit të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët gjatë zhvillimit të procedurës hetimore.
“Prokuroria Themelore Publike në Gostivar zhvilloi procedurë hetimore ndaj Artan Asanit, Leon Uredinit dhe Vadedin Dervishit, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘Krime të rënda kundër mjedisit dhe natyrës’, sipas nenit 234, paragrafi 2, në lidhje me nenin 219, paragrafi 3 dhe nenin 22 të Kodit Penal. Pas përfundimit të veprimeve fillestare hetimore, Prokuroria i propozoi gjykatës caktimin e paraburgimit, duke vlerësuar se ekziston rrezik real i arratisjes dhe ndikimit mbi dëshmitarët”, deklaroi Veselinova.
Në konferencën për media morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore të Gostivarit, Mirosllav Petrovski, si dhe gjyqtari i procedurës paraprake, Qirko Mihajlloski.



