Kryeministri i vendit, Edi Rama në fjalën e tij në aktivitetin e organizuar me rastin e 25-vjetorit të Forumit Rinor Eurosocialist i vlerësoi të rinjtë e këtij forumi si një prurje mjaft pozitive për politikën në vend.
Pasi vlerësoi hapat pozitivë të bërë nga vendi nën qeverisjen socialiste në këtë mandat, Rama u bëri thirrje shqiptarëve të ushtrojnë të drejtën e votës në të mirë të vendit të tyre, gjë që sipas tij dëshmoi edhe vota masive e qershorit 2013.
“Sa më pak njerëzit të merren me politikën, aq më shumë janë të detyruar të paguajnë kostot e politikës, që vetëm përmes pjesëmarrjes mund të përmirësojë vendimmarrjen e vet. Të gjithë duhet të japin kontribut qytetar që politika të bëhet më e mirë. Pjesëmarrja në votim ia vlen sepse jo të gjithë janë njësoj”, tha kreu i qeverisë në aktivitetin për 25-vjetorin e krijimit të FRESSH-it, në Pallatin e Kongreseve.
“Nëse vota nuk do të kishte shkuar për Partinë Socialiste, do të vazhdonte përvëlimi i një gjenerate të tërë për shkak të mungesës së reformës në arsim; shumë familje nuk do të kishin marrë legalizimin e banesave; shqiptarët do të paguanin më shumë taksa sot… Pra, si qenkan të gjithë njësoj? Politika është fuqi që mund të bëjë keq, por edhe mirë. Që të bëjë mirë, duhet që sa më shumë njerëz të merren me të dhe sa më shumë njerëz të votojnë Partinë Socialiste”, deklaroi Edi Rama.
15 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)