As shënimi i 24-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit nuk e bëri bashkë faktorin politik shqiptar. Pushteti dhe opozita si rëndom organizojnë festa të ndara për të shënuar përvjetorin e Marrëveshjes që i dha fundit konfliktit të vitit 2001, shkruan Alsat.
Zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti për të shënuar 24-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit ka organizuar pritje sot në Klubin e Deputetëve. Ndërkohë që opozita shqiptare respektivisht Aleanca Kombëtar për Integrim këtë përvjetor do të shënojë përmes një akademie që pritet të mbahet nesër.
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, me një thirrje të hapur u shtrin dorën qytetarëve maqedonas dhe kërkon bashkim, për të ruajtur dhe respektuar gjuhën, identitetin dhe veçantitë e njëri-tjetrit. Ahmeti, në kolumnën e publikuar në 360 gradë i quan sulme, propagandë dhe shpifje akuzat ndaj tij dhe thotë se ai dhe bashkëpuntorët e tij kanë punuar vetëm për një Maqedoni unitare.
“Shqiptari asnjëherë nuk e ka kontestuar gjuhën dhe identitetin maqedonas, historinë dhe kulturën, fenë dhe shtetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kërkoj dhe pres që populli maqedonas të respektojë veçoritë e popullit tim dhe përfundimisht dhe pa paragjykime të kuptojë se nga barazia nuk humbet asgjë, përkundrazi fiton shumë”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Duke u drejtuar në emrin e tij por edhe të shqiptarëve në përgjithësi, Ahmeti thotë se qëllimi i disa elitave politike është qeverisje mbi bazën e frikës
“Frika e rreme u mboll qëllimisht dhe rrejshëm dhe vazhdon t’u imponohet qytetarëve maqedonas për armiq inekzistent tek shqiptarët nga elitat politike me qëllim për të qeverisur duke abuzuar me frikën e imponuar dhe jo duke avokuar për një të ardhme të përbashkët. Nuk ka qenë dhe nuk është e lehtë, ka pasur rezistencë, refuzim, më së tepërmi nga një botëkuptim i imponuar gabimisht se dikush fiton, e dikush tjetër humb. Ky imponim bëhet nga disa elita politike që mendojnë për zgjedhjet e ardhshme, jo për gjeneratat e ardhshme”, u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Nga ana tjetër, VLEN ka vazhduar të akuzojë BDI-në për retorikë nacionaliste për të hequr vëmendjen nga dështimet e mëdha të qeverisjes në dy dekadat e kaluara. / Alsat.mk