Periudhën e fundit në spitalin e fëmijëve “Kozle” është rritur numri i pacientëve të vegjël që janë paraqitur për kontrolle nga temperatura e lartë dhe virusi sezonal. Drejtori i Spitalit, Besnik Zeqiri shprehet se më të rrezikuarit janë fëmijët deri në moshën 2 vjeç.
“Në përgjithësi muajin e fundit, në dhjetor të gjithë fëmijët që vijnë te ne të kërkojnë ndihmë janë fëmijët më të vegjël, për fat të keq, deri në moshën 2 vjeçare dhe ata janë fëmijë të cilët hospitalizohen sepse janë dehidruar, të gjithë vijnë me temperaturë të lartë dhe prandaj te ne dhe të rehidrohen me anë të infuzioneve. Ndërsa fëmijët të cilët janë më të rritur nga mosha 5 vjeçare dhe më sipër, të rrallë janë ata të cilët i mbajmë në hospitalizim, por ata marrin vetëm mjekim shtëpiak”, tha Besnik Zeqiri, drejtor i Spitalit të Fëmijëve “Kozle”.
Zeqiri shprehet se së fundmi është shtuar numri i stafit të mjekëve në “Kozle”, andaj pohon se nuk e kanë problem të pranojnë fëmijë edhe nga qytete të tjera.
Për shkak numrit të madh të fëmijëve, Drejtori i Spitalit për Fëmijë “Kozle”, thotë se në rast që nuk ka vend në spital, ata janë në kontakt edhe me Klinikën e Fëmijëve, që t’i bartin pacientet tek ta.