Pas më shumë se 20 orë, zjarrfikësit në Kumanovë kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin në bodrumet e Gjykatës Themelore. Akoma nuk dihet për vlerën e dëmit të shkaktuar në hapësirat e arkivit të gjykatës. Mëngjesin e sotëm në terren janë parë ekipet e policisë dhe Prokurorisë Publike të cilët do të hetojnë për shkaqet e zjarrit. Mëngjesin e sotëm është denoncuar edhe për një zjarr të ri, por zjarrfikësit kanë konstatuar se bëhet fjalë për mbetje nga zjarri i njëjtë dhe është lokalizuar menjëherë.
“Zjarri është shuar 99 për qind, por mbetemi të përkushtuar në kontrollin e situatës dhe jemi të gatshëm të ndërhyjmë në çdo moment”, thonë nga Njësiti i Zjarrfikësve në Kumanovë.
Sipas informacioneve të para, dokumente të cilat janë shkatërruar janë kryesisht lëndë 70 vjet të vjetra. Prezenca e madhe e lëndëve ka pamundësuar edhe ndërhyrjen e zjarrfikësve në hapësirat e bodrumit të gjykatës. Megjithëse sipas opozitës kjo nuk është e rastësishme. Sipas VMRO-DPMNE-së zjarri në Gjykatën Themelore të Kumanovës ngrit shumë dyshime.
“Të merr flakë arkiva në gjykatës, në orët e para pas mesnate kur në gjykatë nuk ka asnjë person është për të dyshuar. Nuk do të habitemi nëse përsëri një kabllo vazhdues, orëmatësi, temperaturat e larta të mbrëmjes ose ndonjë meteor mund të jenë arsye e zjarrit”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Të paktën deri ditën e hënë Gjykata Themelore e Kumanovës do të jetë jashtë funksionit për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe ujit për pije në objekt. /Alsat.mk