20-30% e qytetarëve të etnitetit rom nuk kanë mbrojtje shëndetësore si pasojë e mungesës së dokumenteve personale
20-30% e qytetarëve të etnitetit rom nuk kanë mbrojtje shëndetësore si pasojë e mungesës së dokumenteve personale të identifikimit dhe dokumenteve të shtetësisë, tregojnë të dhënat jozyrtare nga sektori joqeveritar.
Një pjesë e madhe e tyre janë të papunë, por nuk figurojnë fare në sistemin e Agjencisë së Punësimit si të papunë, thanë pjesëmarrësit në debatin publik “Para ligjit romët janë të njëjtë, ata janë të diskriminuar në praktikën shëndetësore”.
“Romët diskriminohen në mënyrë sistematike në vendin tonë edhe gjatë trajtimit mjekësor nga profesionistët e shëndetësisë. Ne kemi dokumentuar raste të diskriminimit nga mjekët, infermierët, ata shpesh nuk kanë qasje në spital. Diskriminohen për shkak të përkatësisë së tyre etnike, ngjyrës së lëkurës. Këto stereotipa i kanë të punësuarit në shëndetësi për romët, ata ose nuk trajtohen fare ose trajtohen ndryshe nga pacientët e tjerë”,- deklaroi Jovana Jovanovska Kanurkova nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.
“Fatmirësisht është zgjidhur problemi i ordinancës gjinekologjike në komunën e Shuto Orizarës nga ish-ministri i Shëndetësisë, por fatkeqësisht vazhdon praktika e njëjtë e pagesës për kontrollet falas, kryesisht nga mjeku amë dhe gjinekologët. Ne përpiqemi që të reagojnë institucionet kompetente për ta ndryshuar këtë, për arsye se gruaja rome jo çdoherë ka mundësi t’i paguajë kontrollet dhe për këtë arsye asaj i pamundësohen kontrollet e rregullta dhe si rezultat i kësaj vdekshmëria e foshnjave është më e lartë”,- deklaroi kryetarja e Organizatës së romëve “Umbrella”, Latife Shikovska.
Me këtë rast u kërkua që të rritet niveli i buxhetit, që ka të bëjë me strehimin, arsimin dhe punësimin e romëve. Debati publik u organizuar nga Fondacioni për debat dhe edukim “Ideja” – Evropa Juglindore, i financuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur – Maqedoni.