Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkupin. Prokuroria Publike ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë për fillimin e procedurës përgatitore kundër një 17-vjeçari, i dyshuar se ka tentuar të vrasë babanë e tij, njofton TV21.
Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur në një shtëpi familjare në rrugën “Hristijan Todorovski Karposh” – Shkup, ku i mituri, duke ushtruar dhunë, me qëllim ka tentuar t’i marrë jetën babait të tij. Ai i është afruar nga pas ndërsa viktima ndodhej në dhomën e gjumit dhe e ka goditur duke i shkaktuar 10 plagë me thikë.
Në momentin e sulmit, në shtëpi ndodhej edhe nëna, e cila ka arritur të ndërhyjë dhe ta largojë të birin, ndërsa menjëherë ka thirrur ndihmën e shpejtë. Pas ndërhyrjes kirurgjikale në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, babai ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Prokuroria ka propozuar që të miturit t’i caktohet masa e paraburgimit, ndërsa rasti po hetohet si tentim vrasjeje sipas nenit 123 të Kodit Penal.