Fondi për Sigurim Shëndetësor në Maqedoninë e Veriut do të ndërmarrë nisma për ndryshime në Ligjin për mbrojtje shëndetësore, me qëllim përmirësimin e sistemit të kontrollit të raportimeve mjekësore.
Qëllimi është që pushimi mjekësor të jepet vetëm për pacientët të cilëve me të vërtetë u nevojitet. Këtë e deklaroi sot drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, duke paraqitur edhe të dhëna shqetësuese, përcjell INA.
Sipas tij, aktualisht janë rreth 17 mijë raste të pushimeve mjekësore për shkak të sëmundjes dhe rreth 10 mijë pushime për lehoni. Numri në rritje i kërkesave për kontrolle vjen si rezultat i pranisë së madhe të punonjësve në institucionet publike që janë në pushim mjekësor, shpesh pa arsye të justifikuar. Klekovski theksoi se kjo situatë po e ngarkon rëndë sistemin dhe kërkon masa të menjëhershme.
Sipas raporteve, gati gjysma e pushimeve mjekësore jepen për sëmundje që lidhen me shtyllën kurrizore.
„Nëse i bëni skanim shtyllës kurrizore të çdokujt mbi 50 vjeç, do të duket sikur ka lumbago ose spondilozë. Bëhet tepër subjektive nëse dikush duhet të shkojë në punë apo jo“, theksoi Klekovski. Numri më i madh i pushimeve mjekësore është i përqendruar në polici, doganë, mbrojtje dhe në klinikat shëndetësore.(INA)