Vitin e kaluar në Maqedoni kishte rreth 300 persona me diagnostifikim të ri të kancerit në qafën e mitrës dhe numri i vdekjeve si pasojë e kësaj sëmundjeje ishte rreth 150. Sipas ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe me qenë se tani është Java Evropiane e kancerit në qafën e mitrës, është e nevojshme që të merren masa në drejtim të ngritjes së vetëdijes për të parandaluar këtë sëmundje përmes kontrolleve të rregullta, bërjes së testeve PAP dhe marrjen e vaksinës kundër HPV-së. Ministri Filipçe bëri të ditur se janë duke punuar edhe për integrimin e sistemit shëndetësor elektronik në mënyrë që qytetarët të ju shpëtojnë pritjeve të gjata para sporteleve.
Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë
“Së bashku me Drejtorinë e Shëndetësisë për Sisteme Elektronike po punojmë në integrimin sistemit shëndetësor dhe momentalisht jemi duke bërë përgatitje të një formati të veçantë elektronik, në të cilin do të jenë të vendosura të gjitha të dhënat për testet PAP dhe për rezultatet HPV si dhe testet për analiza socio-patologjike. Do doja të thosha se këtë vit në programet për sëmundjet malinje, janë ndarë mjete me të cilat do të bëhet një app grate të sistemit elektronik, me të cilën gjinekologët amë do të jetë të lidhur drejtëpërdrejtë me laboratorët ku përgatiten analizat e testeve PAP”.
Goran Dimitrov, gjinekolog dhe njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Maqedonisë informoi se është formuar një Komitet ekspertësh i cili është angazhuar që përmes udhëzimeve klinike të bëjnë identifikimin e këtij lloj kanceri.
Goran Dimitrov, kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Maqedonisë
“Do doja të ju tregoj për një gjë të bukur, ajo është se para 5-6 muajsh është formuar Komitet i cili punon për Komitetin Drejtues Ndërkombëtarë për udhëzime klinike, në të cilin janë antarësuar ekspert specialist të gjinekologjisë, epidemiologjisë, patologjisë…që kanë për qëllim dhe detyrë që ti adaptojnë udhëzimet klinike bashkëkohore për identifikim të kancerit”.
Kryetarja e Shoqatës “Borka” Biba Dodeva thotë se puna e tyre në terren tregon se femrat shumë pak janë të informuara për rrezikun dhe preventivat e kësaj sëmundje.
Biba Dodeva, Kryetare e Shoqatës “Borka”
“Sipas përvojës tonë dhe punës në teren, ne kemi parë se gratë me status më të ulët social dhe një pjesë e grave të grupeve minoritare, aspak nuk kanë njohuri për këtë sëmundje vdekjeprurëse sepse këto gra nuk kanë qasje të rregullt në kontrollet shëndetësore, nuk janë mjaftueshëm të informuara, të edukuara dhe nuk dinë shumë për mënyrën e prventivave”.
Vaksina HPV, njoftojnë ata nuk përmban ADN virale, që do të thotë nuk shkakton infeksion apo sëmundje dhe e njejta është testuar nga Agjencia për ushqim dhe Ilaçe në SHBA. Ajo rekomandohet për femrat prej moshës 9 deri 26 vjeçare. Emine Ismaili /SHENJA/