Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ka thënë se babait të tij po i bëhen 15 vjet në burgje, dhe se kjo po ndodhë pasi ai zgjodhi lirinë e një populli dhe jo lirinë e tij.
Në reagimin e tij në rrjetin social Facebook, Krasniqi shkruan tutje se babai i tij zgjodhi luftën kundër gjenocidit serb, e jo heshtjen ndaj tij.
“Zgjodhi Kosovën shtet, e jo më kurrë nën Serbi. Në vend që ta shijonte rolin e gjyshit me mbesat e tij, çdo ditë e më shumë po plaket në qeli, larg vendit të tij. Prandaj, sot, ende në moshën 74 vjeçare, po duron padrejtësi. Babë, edhe pse s’munde ta shijosh as rininë, as pleqërinë, e shijove Kosovën e lirë, të cilës aq shumë i dhe”, shkroi mes tjerash ai.
Më poshtë reagimi i tij:
“Nga burgjet e Jugosllavisë, te qelitë e Hagës.
Jakup Krasniqi u arrestua dhe më 4 prill 1981 u dënua me 14 vite burg nga sistemi fashist i Jugosllavisë, që udhëhiqej nga të njëjtat politika gjenocidale të Serbisë së sotme.
Në rigjykimin që iu bë, u dënua me 15 vite burg, sepse kishte thënë: “Unë nuk jam jugosllav, unë jam shqiptar.”
Megjithatë, ai mbajti 10 vjet, 3 muaj dhe 19 ditë burg, për t’u liruar më 23 korrik 1991.
Rreth tri dekada më vonë, ai vihet sërish në pranga.
Jo nga Beogradi.
Jo nga UDB-ja.
Jo nga serbët.
Por nga ata që u betuan se do të sillnin drejtësi ndërkombëtare.
Ata që heshtën për masakrat e Serbisë, por u ngutën të hapin dosje për çlirimtarët.
Jakup Krasniqi, sot në moshën 74-vjeçare, vazhdon të mbahet në paraburgim, jo për atë që bëri, por për atë që përfaqëson: historinë e lavdishme të një populli, masakrat e të cilit ende nuk kanë gjetur drejtësi, dhe lirinë e një populli të shtypur e të vuajtur që me shekuj ishte lënë në harresë nga bota perëndimore.
I lodhur nga vitet, i rënduar nga mosha, por kurrë i thyer:
Ai është dëshmi e gjallë se liria nuk falet e as nuk fitohet me fjalë, por me burg, me pushkë dhe me jetë.
Ai është turpi i një bote që po gjykon viktimën, ndërsa e përkëdhel kriminelin.
Ai është simbol i asaj që mbështetësit e politikave të Beogradit do ta donin të shlyer: luftën e drejtë të një populli!
Jeta na tregoi se herë është e padrejtë e herë mizore. Këtë më së miri e dëshmon jeta e Jakup Krasniqit, i cili u mbyll në qelitë e ftohta të dy sistemeve të ndryshme:
Dikur nga uniforma jugosllave, sot nga kravata ndërkombëtare.
Dikur sepse kërkoi zërin e lirisë, sot sepse u bë zëri i lirisë!
Prandaj, natyrshëm më vjen pyetja: A jemi të lirë?
Nëse kjo nuk është padrejtësi historike, atëherë çfarë është?
Sa kohë do të qëndrojmë si spektatorë, ndërsa zërat më të fuqishëm të çlirimit mbahen në burg nga një drejtësi që po i shërben narrativës së Serbisë?
Pesha e prangave të Jakup Krasniqit, e mbajtur për këto 15 vite, atë nuk e rrënoi, por do ta rrënojë të ardhmen e Republikës sonë, të formuar nga po ato dy duar që ende i mbajnë prangat e padrejtësisë!
Kjo nuk është thirrje për mëshirë, kjo është thirrje për drejtësi!
Dhe nëse Kosova ende është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, nuk duhet të heshtë.
Sepse sot është ai, nesër mund të jetë fati ynë historik ai që burgoset!
15 vite burg në total.
15 vite në dy botë të ndryshme.
Por të dyja me të njëjtin qëllim: ta heshtin zërin e lirisë!
Por ai nuk heshti. Dhe nuk do të heshtë.
Dhe nëse ne kemi pak ndërgjegje, pak dinjitet dhe pak kujtesë historike as ne nuk duhet të heshtim.
Liria nuk është e plotë derisa i fundit i çlirimtarëve të jetë i lirë.
Kosova nuk do të ketë qetësi, derisa drejtësia të mos e njohë UÇK-në si atë që ishte: ushtria e një populli që kërkoi liri.
Historia nuk e fal harresën.
Dhe kombet që harrojnë, zhduken”.