Gjatë 24 orëve të fundit (03–04 prill 2026), në të gjithë territorin e vendit, nëpunësit policorë kanë privuar nga liria gjithsej 15 shoferë për shkelje të rënda në komunikacion.
MARKETING
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, 10 prej tyre janë kapur duke drejtuar automjete pa patentë shoferi. Rastet janë evidentuar në disa qytete, përfshirë Shkupin, në rrugën rajonale Shkup–Tetovë (te nyja për në fshatin Grupçin), si dhe në Gostivar, Koçan dhe Kërçovë.
Ndërkohë, katër shoferë janë ndaluar për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit, në Shkup, Kavadar dhe Makedonska Kamenicë.
Një rast i veçantë është regjistruar në Kërçovë, ku një shofer është kapur duke drejtuar automjet edhe pse kishte ndalim për drejtim të mjeteve të kategorisë B.
Nga MPB bëjnë të ditur se, pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj të gjithë personave do të parashtrohen kallëzime përkatëse penale.


