Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës u zhvillua prezantim informues rreth veprimtarisë dhe misionit të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL). Në këtë ngjarje, auditori u njoh me këtë institucion që ka një mision të rëndësishëm, si dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës nga aspekti historik, ushtarak, ekonomik, juridik, ekologjik, kulturor, psikologjik, mjeko-ligjor dhe sociologjik, duke përfshirë edhe dimensione të tjera me rëndësi për një kuptim të plotë dhe gjithëpërfshirës të këtyre krimeve.
Organizimin e kësaj veprimtarie e përshëndeti dekani i Fakultetit Filozofik Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, i cili theksoi se të flasësh për krimet e luftës në Kosovë nuk është vetëm një akt kujtese; është një detyrim moral dhe një thirrje për vetëdijesim, për të mos u bërë të verbër përballë padrejtësisë.
“Këto krime nuk i përkasin vetëm së kaluarës – ato janë pasqyra e së tashmes dhe pyetja thelbësore e së ardhmes sonë. Masakrat dhe krimet e luftës në Kosovë nuk ishin thjesht krime kundër njerëzimit; ato përbënin shkelje të vetë arsyes njerëzore, momente kur njeriu u reduktua në numër dhe kur vdekja u shndërrua në logjikë politike. Kosova është, fatkeqësisht, një dëshmi e qartë e këtij ndalimi të rrezikshëm të mendimit, për të cilin na paralajmëroi Hannah Arendt, kur theksoi se tmerri shpesh buron nga njerëz të zakonshëm që ndalojnë së menduari. Dhe ndoshta, ky është thelbi i çdo tragjedie njerëzore – mungesa e mendimit, mungesa e reflektimit, zëvendësimi i bindjes së verbër me ndërgjegjen. Kështu ndodhi edhe te ne sepse krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk ishin vetëm shkelje e të drejtave të njeriut, ishin shkelje e vetë arsyes njerëzore, një rrëzim moral që e sfidon kuptimin tonë për njeriun dhe për shtetin.”- deklaroi Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti. Ai po ashtu veçoi se, e kemi për detyrë të kuptojmë pse dhe si ndodhën këto krime, në mënyrë që të kërkojmë drejtësi dhe nëse drejtësia nuk bëhet themel i shoqërisë, atëherë krimi triumfon mbi çdo vlerë tjetër.
Ndërkaq, Atdhe Hetemi, drejtor i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), solli detaje për veprimtarinë e përgjitshme që realizohet me qëllimin parësor zbardhjen e krimeve makabre të kryera në Kosovë gjatë luftës. Ai u shpreh se përskaj vështirësive, instituti që ai e drejton punon me përkushtim që krimet e kryera të zbardhen dhe ekzekutorët e tyre të marrin dënimet e merituara.
Në këtë aktivitet ndër të tjera u theksua se dokumentimi dhe hulumtimi i këtyre krimeve shërben gjithashtu për të dëshmuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër, në mbrojtje të lirisë, të kombit dhe, mbi të gjitha, të dinjitetit njerëzor. Me realizimin e kësaj ngjarjeje, Fakulteti Filozofik i UT-së hap një kapitull të rëndësishëm të bashkëpunimit me Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), duke u bërë pjesë e një premtimi kolektiv për të kontribuuar që heshtja të mos shndërrohet në normalitet.

















