Me vendosjen e kurorave me lule përpara pllakës përkujtimore në kodrën Matiça mbi Mostar, sot u shënua 13 vjetori i vdekjes së presidentit të Maqedonisë, Boris Trajkovski i cili me bashkëpunëtorët dhe anëtarët e ekuipazhit humbën jetën në një aksident ajror në afërsi të Mostarit gjatë mbërritjes për në Konferencën ndërkombëtare për Investime, raporton Anadolu Agency (AA).
Në nder të presidentit të Maqedonisë i cili humbi jetën në mënyrë tragjike kurora me lule vendosi udhëheqësia e Qytetit të Mostarit, ku të pranishëm ishin përfaqësues të niveleve më të larta të pushtetit në Bosnjë e Hercegovinë dhe trupit diplomatik në BeH dhe Republikën e Maqedonisë, me një numër të shoqatave të maqedonasve nga Bosnja dhe rajoni, gjë e cila tregon se ai ishte një figurë e madhe historike.
Zëvendësministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Hristijan Delev, tha se Presidenti Trajkovski u angazhua për mbështetje të gjerë të rajonit, të cilën e kërkon edhe udhëheqësia aktuale e Maqedonisë.
“Presidenti Boris Trajkovski ishte një njeri i cili u angazhua për bashkëpunim të gjerë në rajon. Mesazhet e tij edhe sot janë gjallë”, tha Delev.
Kryetarja e Shoqatës maqedonase “Vëllezërit Milladinovci” nga Sarajeva, Emica Niami-Nalbantiç theksoi se Presidenti Trajkovski ishte një figurë e rëndësishme në rajon, të cilin të gjithë e kanë vlerësuar dhe i cili ende kujtohet.
“Trembëdhjetë vjet pas aksidentit ne ende e kujtojmë fytyrën e tij, kujtojmë veprat e tij. Ai ishte një njeri me mendje të gjerë. Ai ishte një njeri që mendonte jo vetëm për Republikën e Maqedonisë, por edhe për gjithë rajonin. Njeriu që e kishte idenë për të bashkuar rajonin ekonomikisht, që të sjellë qytetarët në prosperitetin ekonomik. Ai ishte për bashkëpunim, një njeri që kishte një gamë të gjerë të mendimeve dhe fjalëve”, tha Niami-Nalbantiç.
Kryetari i Komunës së Mostarit, Ljubo Beshliç kujton se Trajkovski humbi jetën gjatë mbërritjes në një vizitë miqësore në Mostar me synimin që nëpërmjet konferencën për investime të forcojë lidhjet dhe të krijojë mundësi ekonomike për popujt e Bosnjë e Hercegovinës dhe Maqedonisë.
“Kjo tragjedi çdo vit na përkujton këtë ngjarje të trishtuar, por, unë do të thoja se çdo vit një gur i ri i shtohet marrëdhënieve miqësore, se neve na lidh ajo urë, të cilën presidenti Trajkovski filloi ta ndërtojë”, tha Beshliç.
Ai shprehu shpresën se ajo do të mbetet për brezat në të ardhmen që marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe BeH-së çdo ditë do të jenë më të mira.
Sipas tij, tragjedia ndodhi si rezultat i një gabimi njerëzor dhe se ajo që ka ndodhur nuk mund të përmirësohet por se marrëdhëniet e mira mund të ndërtohen.
“Për fat të keq, kjo tragjedi ka ndodhur si rezultat i një gabimi njerëzor. Hetimet kanë treguar se për shkak të shikimit të dobët dhe kushteve të këqija të motit piloti kishte shumë guxim dhe është lëshuar nën kufirin e ulët kritik dhe është përplasur në këtë vend, ashtu që ka ardhur deri tek tragjedia. Për fat të keq, gabimi njerëzor çoi në tragjedi. Nuk mund të kthejmë atë që ka qenë, por ne mund të ndërtojmë marrëdhënie më të mira dhe të mësojnë disa gjëra se megjithatë duhet të respektohen të gjitha ato procedura të cilat parashikohen”, përfundoi Beshliç.
Powered by WPeMatico

