Fatura të fryra të energjisë elektrike po shkaktojnë reagime të ashpra te qytetarët dhe mërgimtarët, të cilët gjatë qëndrimit të shkurtër në vendlindje po përballen me shuma marramendëse për shpenzim të rrymës. Një rast konkret vjen nga fshati Dobridoll i Vrapçishtit, ku Sadri Bahtijari, i cili jeton dhe vepron prej vitesh në Gjermani bashkë me familjen, ka pranuar një faturë prej 66.453 denarësh, apo rreth 1.100 euro, për vetëm 20 ditë qëndrimi në shtëpi.
Në një reagim për gazetën KOHA, Bahtijari shprehet se nga 15 dhjetori deri në fillim të janarit ka qëndruar në Dobridoll, duke u ngrohur me sistem inverterësh, të cilët konsiderohen si kursimtarë të energjisë elektrike. Megjithatë, ai thotë se është tronditur kur ka marrë faturën.
“Është më shumë se hajni. EVN po vjedh hapur, ndërsa as Qeveria dhe as ndonjë institucion tjetër nuk del t’i thotë stop kësaj padrejtësie. Edhe nëse ankohesh në gjykatë, nuk e fiton dot EVN-në. Rryma në Maqedoni më e shtrenjtë se qiraja në Gjermani”, shprehet i revoltuar Bahtijari.
Ai thekson se gjatë qëndrimit nuk ka pasur ndonjë konsum të jashtëzakonshëm të energjisë dhe se shuma e faturuar nuk përputhet aspak me realitetin. Bahtijari nuk është rast i izoluar. Edhe mërgimtarë të tjerë, të cilët për festat e Vitit të Ri kanë qëndruar në vendlindje jo më shumë se 10 deri në 14 ditë, kanë pranuar fatura deri pesëfish më të larta se zakonisht. Disa prej tyre kanë tentuar të ankohen, ndërsa të tjerë kanë hequr dorë që në fillim, duke e konsideruar procesin të pashpresë.
“Ku të ankohesh? Të thonë shkruaj një ankesë-lutje dhe kaq. Asnjë përgjigje nuk merr. Në fund duhet ta paguash faturën, përndryshe mbetesh pa energji elektrike”, tha ditë më parë për mediat një mërgimtar nga Llabunishti, i cili për vetëm 10 ditë qëndrimi në shtëpi kishte marrë faturë afër 2.000 euro.
Sipas informacioneve nga terreni, gjatë muajve nëntor, dhjetor dhe janar, numri i ankesave për fatura të fryra është rritur ndjeshëm. Më së shumti ankesa vijnë nga banorë të Likovës, Shkupit, Tetovës, Gostivarit dhe Strugës me rrethinë, zona ku konsumi i energjisë gjatë dimrit tradicionalisht është më i lartë për shkak të ngrohjes.
Megjithatë, pavarësisht reagimeve publike dhe ankesave të shumta të qytetarëve, nga kompania EVN deri më tani nuk ka pasur asnjë sqarim zyrtar për arsyet e faturave kaq të larta, të cilat në disa raste arrijnë deri në pesëfishin e shpenzimit real. Heshtja institucionale vetëm sa ka shtuar pakënaqësinë dhe dyshimet e qytetarëve, të cilët kërkojnë transparencë, kontroll të matësve dhe reagim urgjent nga institucionet shtetërore për mbrojtjen e konsumatorëve. (koha.mk)


