Tanimë do të mbushen 11 vjet nga ngjarjet e armatosura në lagjen e njohur si “Lagja e Trimave” në Kumanovë, për të cilin edhe pse ka vendim gjyqësor dhe janë dënuar grupi i ashtuquajtur i “Kumanovës”, ende nuk është e zbuluar e vërteta.
Nuk dihen porositësit, është kërkuar hetim ndërkombëtar nga vendi, Kosova, Shqipëria dhe të tjerë, por asgjë nuk është bërë, përcjell INA.
Duke u thirrur në Qeveri reformatore, edhe kryeministri Zoran Zaev pak muaj pas marrjes së mandatit kishte premtuar një hetim ndërkombëtar për Lagjen e Trimave.
“Po i shqyrtojmë mundësitë se si do të ishte e mundur që të bëhet ai hetim në rastin Kumanova. Është e shkruar edhe në programin qeveritar se për të gjitha vendimet gjyqësore të cilat janë në interes të qytetarëve të mos ketë dilema, paqartësi dhe reagime. Besoj se do të gjejmë mënyra me faktorin ndërkombëtar me qëllim që të bëhet hetim ndërkombëtar për rastin “Kumanova”, ish-kryeministri Zoran Zaev, deklaroi në vitin 2018.


