Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski paralajmëroi që prej sot nis funksionimi i linjave ajrore për 11 destinacione të reja nga Aeroporti i Shkupit dhe ai i Ohrit.
“Me orarin dimëror të fluturimeve më 27 tetor, nga Ohri do të fluturohet për në Bazel – një destinacion jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi Ohrin po e hapim jo vetëm për turistët nga Zvicra, por edhe për ata nga Franca dhe Gjermania. Ky është një aeroport evropian që lidh këto tre vende.
Nga Shkupi do të fluturohet për në Stokholm, në aeroportin kryesor të kryeqytetit suedez, si dhe për në Shtutgart, Bari dhe Larnaka (Qipro)”, deklaroi Nikolloski në një video të publikuar në profilin e tij në Facebook.
Duke filluar nga e hëna e ardhshme, më 3 nëntor, shtoi Nikolloski, do të nisin fluturimet për në Gjenevë, një destinacion që përveç turistëve, do të sjellë edhe shumë biznesmenë në Shkup. Po ashtu, do të ketë fluturime për në Madrid, ndërsa nga 15 dhjetori do të hapen linjat për në Pragë dhe Këln.
“Nëse kësaj i shtojmë se nga prilli i ardhshëm do të fillojnë fluturimet për në Budapest dhe Napoli, atëherë kjo është fotografia e plotë e përpjekjeve të Qeverisë për të tërhequr linja ajrore të reja. Këto kompani subvencionohen për udhëtarët që vijnë në Ohër dhe Shkup, pasi subvencionet janë të destinuara për rritjen e fluksit hyrës të pasagjerëve. Një revolucion i tillë në trafikun ajror nuk është parë prej dekadash, dhe kjo është nxitja më e mirë për të punuar edhe më shumë në periudhën e ardhshme,” theksoi Nikolloski.


