Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, ka kritikuar vendimet gjyqësore për rastet tragjike të Llaskarcës dhe Spitalit Modular në Tetovë, duke kërkuar llogaridhënie publike nga gjyqtarët e Gjykatës Supreme.
Gjatë një paraqitjeje në televizionin Alsat, Milloshoski tha se përgjegjësia për gjendjen në gjyqësor nuk mund t’u atribuohet vetëm Qeverisë dhe Kuvendit, por edhe Prokurorisë Publike dhe gjyqtarëve.
Sipas tij, përmes ndryshimeve ligjore dhe përpjekjeve institucionale janë bërë hapa për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, por disa individë brenda gjyqësorit po i cenojnë këto standarde.
Ai veçoi dy rastet, ku Gjykata Supreme i ka anuluar aktgjykimet dhe i ka kthyer lëndët në rigjykim, pavarësisht punës së institucioneve për sigurimin e provave.
Milloshoski kërkoi që Gjykata Supreme të japë përgjigje për vendimet e saj në këto dy raste, të cilat lidhen me tragjedi që shkaktuan viktima të shumta.



