Smith: Përparimi në dialog, i rëndësishëm për ecjen para drejt integrimit në NATO – për Banjskën kemi bërë thirrje për llogaridhënie
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Julianne Smith, ka deklaruar se përparimi në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është i rëndësishëm për ecjen para të Kosovës drejt integrimit në NATO, raporton Express.
Smith tha se Shtetet e Bashkuara kanë një partneritet të ngushtë me Kosovën.
“…ne jo vetëm që po e mbështesim dialogun e udhëhequr dhe të ndërmjetësuar nga BE-ja – i cili ka për synim të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – por nga një perspektivë bilaterale amerikane, ne jemi këtu për të mbështetur miqtë tanë në Kosovë, teksa ata po angazhohen për aspiratat e tyre euroatlantike dhe po punojnë për t’i forcuar forcat e veta”, ka deklaruar ajo në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Lidhur me sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë në shtator të vitit të kaluar, Smith tha se kanë qenë në kontakt të ngushtë me miqtë në Kosovë, teksa kryheshin hetime, derisa shtoi se kanë bërë thirrje për llogaridhënie.
“Kemi qenë në kontakt të ngushtë me miqtë tanë në Kosovë, teksa kryheshin hetime. Nuk dua të flas për këto hollësi, por kemi bërë thirrje për llogaridhënie. Kemi folur me Serbinë për këtë incident. Dhe, jemi të fokusuar që t’i shtyjmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen dhe të bëjnë përparim në dialogun e udhëhequr dhe të ndërmjetësuar nga BE-ja”, ka deklaruar Smith.
Ka vende të tjera në rajon që nuk janë anëtare të NATO-s, si Kosova, Bosnja dhe Serbia. Sa po iu ndihmon SHBA-ja këtyre vendeve për të ndërtuar kapacitetet e mbrojtjes, pasi që nuk janë anëtare, por kanë një marrëdhënie të veçantë me aleancën?
Kosova është çështje e ndërlikuar, për shkak se kemi katër vende në NATO që nuk e njohin atë, por Shtetet e Bashkuara kanë një partneritet shumë të ngushtë me Kosovën, dhe ne jo vetëm që po e mbështesim dialogun e udhëhequr dhe të ndërmjetësuar nga BE-ja – i cili ka për synim të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – por nga një perspektivë bilaterale amerikane, ne jemi këtu për të mbështetur miqtë tanë në Kosovë, teksa ata po angazhohen për aspiratat e tyre euroatlantike dhe po punojnë për t’i forcuar forcat e veta.
Shtatorin e kaluar ndodhi një sulm serioz në veriun e Kosovës, ku NATO-ja ka paqeruajtësit e saj. Sipas zyrtarëve, ai ishte sulm i drejtpërdrejt ndaj sovranitetit të vendit. A ka SHBA-ja informacione nga inteligjenca rreth asaj se çfarë saktësisht ndodhi atë ditë, se cilat ishin motivet dhe se cilat duhet të jenë pasojat pas këtij sulmi?
Julianne Smith: Në këtë rast specifik, kur e pamë këtë dhunë në shtator, ne sigurisht monitoronim situatën nga afër, këtu në aleancë. Arritëm të bëheshim bashkë dhe të diskutonim si 32 aleatë. Keni të drejtë, aleanca ka një mision në terren, misionin e KFOR-it, me rreth 3.000 trupa. Kemi qenë në kontakt të ngushtë me miqtë tanë në Kosovë, teksa kryheshin hetime. Nuk dua të flas për këto hollësi, por kemi bërë thirrje për llogaridhënie. Kemi folur me Serbinë për këtë incident. Dhe, jemi të fokusuar që t’i shtyjmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen dhe të bëjnë përparim në dialogun e udhëhequr dhe të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Përmendët Kosovën, që vendet të cilat nuk e njohin, përbëjnë pengesë për të që të bëhet anëtare e Partneritetit për Paqe, që është një ndër objektivat strategjike të vendit. Duke marrë parasysh se SHBA-ja konsideron, dhe se kjo është thënë shumë shpesh publikisht nga zyrtarë amerikanë, se Kosova e ka vendin në këtë program, dhe duke pasur parasysh rrethanat për vendet që nuk e njohin, a mendoni se kjo çështje është shumë e ndërlikuar, por jo edhe e pamundur që të ndodhë?
Julianne Smith: Kemi situatën ku katër anëtarë të aleancës janë vende që nuk e njohin dhe duhet ta kemi parasysh këtë. Dhe, kjo duhet të adresohet para se aleanca të mund të ecë përpara me ndonjë lloj partneriteti formal, ndërmjet aleancës dhe Kosovës. Por, për arsye të qarta, mendoj se NATO-ja po e mbështet plotësisht atë që BE-ja po përpiqet të bëjë, pavarësisht faktit se aleanca ka një mision në Kosovë, ne besojmë se të gjithë duhet të synojnë përparimin në dialogun e udhëhequr dhe të ndërmjetësuar nga BE-ja. Vetëm me përparim shtesë në atë drejtim ne mund të kalojmë të çështjet më të mëdha për sa i përket marrëdhënies së Kosovës me aleancën.