Shoqata Bjeshkatare Alpiniste “Karadaku”,gjatë ditës së djeshme, iu është bashkangjitur Shoqatës Alpiniste “Gjilani” për në një rrugtim përallor në Lumin e Gashit në Tropojë të Shqipërisë.
Rruga u bë e lehtë nën shoqërinë e alpinistëve të ndryshëm nga troje të ndryshme shqiptare ku patëm mundësi të njihemi dhe t`i rrëfejmë njëri-tjetrit histori personale dhe nga jeta profesionale.
Për pamjet, të mos flasim! Jo rastësisht Lumi i Gashit është një pasuri natyrore e vënë nën mbrojtje ndërkombëtare.
Koloritë ngjyrash, cicërrima zogjsh, dhi, kuaj , mushka, lopë, qen e gjarpërinj të vegjël, shtëpi të vjetra, banorë tejet të dashur për alpinistët, ishin pjesa tjetër e rrëfimit.
Këndime, shaka, e shoqëri e pafundmë.
Të gatshëm për t`u përballur me vështirësitë e rrugës dhe adrenalinën që ta krijon ky shteg, alpinistët e “Karadakut” me sukses arritën në destinacionin e dëshiruar.
Nëse ende nuk e keni ecur këtë shteg-mos u mendo dy herë, kap shansin e parë të mundshëm.