Raporti i Avokatit të Popullit shpërfaq gjendjen tejet të rëndë të disa stacioneve policore në Maqedoni. Objektet e vjetëruara dhe pak para shembjes, pasqyrohen përmes fotografive në raportin e gjashtë të Avokatit të Popullit. Në të tregohet gjendja e 8 stacioneve policore të vizituara, në të cilat sipas avokatit Ixhet Memeti, vetëm një i plotësonte kushtet minimale për ndalim dhe marrje në pyetje, ku mes tjerash përmenden stacionet në Çair, Berovë dhe Kriva Pallankë. Në shtatë prej 8 stacioneve të vizituara, sipas Memetit biseda me personat e ndaluar zhvillohej në zyrat e tre inspektorëve, në të cilat nuk janë të theksuara të drejtat e tyre.
Në stacionin policor në Berovë, ende shfrytëzohen hapsira që para disa vitesh është kërkuar që të mos përdoren, pasi hapësirat në këtë stacion gjenden dy katë nën tokë.
IXHET MEMETI, AVOKAT I POPULLIT
“Sistemi i thirrjes nuk funksionon, kjo është karakteristike për stacionin policor në Berovë, ku të ndaluarit janë të detyruar të rrijnë dy kate më poshtë, apo bodrum dhe nuk kanë sistem që të mund të komunikojnë me personelin. Kështu që një gjë e tillë është e palejuar”.
Në stacionin policor në Kriva Pallankë, Memeti thotë që edhe aty vazhdojnë të shfrytëzohen hapsira të improvizuara për ndalim, në të cilat gjatë vizitës kanë hasur në mjete të palejueshme, të rrezikshme për jetën e personave të cilat ndalohen aty. Avokati Memeti ripërsërit rekomandimin për mbylljen e këtyre stacioneve.
IXHET MEMETI, AVOKAT I POPULLIT
“Para disa vitesh kërkova që Ministria për Punë të Brendëshme t’i mbyllë dhomat për pranim, apo hapsirat për ndalim, pasi nuk i plotësojnë kushtet. Mirëpo edhe përpos atyre kushteve, edhe përpos atij rekomandimi, edhe përpos vendimit të ministrit që në tre nga to, të mos ndalen qytetarët, vazhdon e njejta që të përdoren këto kapacitete të cilat nuk i plotësojnë kushtet. Përsëris rekomandimin tim që të mos përdoren këto hapësira”.
Memeti edhe njëherë apelon që seriozisht të shqyrtohet mundësia e vendosjes së një sistemi të ri, me numër më të vogël të objekteve dhe me hapsira vetëm për ndalim të personave, të cilat do t’i përmbushin standardet e nevojshme.
Emine Ismaili
Avokati i Popullit kërkon mbylljen e disa… by tvshenjaofficial