Një 39-vjeçar është vënë nën hetim në Tiranë, pasi kishte zaptuar një hapësirë publike në rrugën “Medar Shtylla”, duke e kthyer në parkim privat automjetesh.
Policia e kryeqytetit bën me dije se në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit, u ndërmor ndërhyrja për lirimin e hapësirës së zënë në mënyrë të paligjshme, ku automjetet e parkuara u larguan me karrotrec.
“Në përfundim të veprimeve u procedua penalisht shtetasi A. D., 39 vjeç, për veprën penale ‘Pushtimi i tokës’”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Policia e Tiranës njofton se do të vijojë kontrollet për lirimin e hapësirave publike dhe nuk do të tolerojë asnjë rast të zënies së paligjshme të tokës, duke ftuar qytetarët të raportojnë shkeljet në numrin emergjent 112.
Njoftimi i policisë
Tiranë/Vijon lirimi i hapësirave publike të zëna në mënyrë të kundërligjshme.
Lirohet një hapësirë e përbashkët pallati, e kthyer në mënyrë të paligjshme në vendparkim automjetesh, në rrugën “Medar Shtylla”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Bashkiake dhe të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, ndërhynë në një hapësirë të përbashkët pallati në rrugën “Medar Shtylla”, e cila ishte zënë pa leje dhe ishte kthyer në një vendparkim automjetesh.
Në përfundim të veprimeve për rastin, u procedua penalisht shtetasi A. D., 39 vjeç, për veprën penale “Pushtimi i tokës”. Automjetet e parkuara në mënyrë të kundërligjshme u tërhoqën me karrotrec.
Policia e Tiranës vijon apelimin se nuk do të tolerohet asnjë rast i cenimit të hapësirave publike.Ftojmë qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të tillë, në numrin 112!