Një vatër e fuqishme zjarri ka përfshirë sot një sipërfaqe të madhe me ullinj në fshatin Balëz, Njësia Administrative Bradashesh, në bashkinë Elbasan.
Sipas informacioneve paraprake, flakët shpërthyen rreth orës 11:55 dhe u përhapën me shpejtësi, duke marrë përmasa alarmante. Zjarri ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme toke të mbjellë me ullinj, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe rrezikuar zonat përreth, përfshirë banesa dhe zona me bimësi.
Përhapja e zjarrit është favorizuar nga terreni i pjerrët, temperaturat e larta dhe era e fortë që karakterizon këtë periudhë të verës.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Elbasanit, të cilat po përballen me vështirësi për shkak të intensitetit të flakëve dhe kushteve të vështira të terrenit. Gjithashtu, janë angazhuar edhe strukturat e mbrojtjes civile, ndërsa autoritetet vendore kanë kërkuar mbështetje shtesë për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Banorët e zonës janë alarmuar nga situata dhe disa prej tyre po ndihmojnë me mjete rrethanore për të frenuar përparimin e zjarrit.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërkohë që dëmet në ullishtet e djegura konsiderohen të mëdha.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet pranë zonës së përfshirë nga zjarri dhe të njoftojnë menjëherë për çdo vatër të re që mund të shfaqet.