Një banesë në fshatin Trebinjë të Mokrës, Pogradec, është përfshirë nga flakët mesditën e sotme, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, por pa lëndime në njerëz. Fatmirësisht, familja që banonte aty ka arritur të dalë në kohë, duke shmangur një tragjedi.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri shpërtheu papritur dhe u përhap me shpejtësi në të gjithë shtëpinë, për shkak edhe të temperaturave të larta të motit. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se dyshohet për një shkëndijë elektrike si shkak të mundshëm, por hetimet pritet të sqarojnë më tej rrethanat.
Shërbimi zjarrfikës është njoftuar menjëherë dhe ndodhet rrugës për në zonë, por infrastruktura e vështirë dhe largësia po e vonojnë ndërhyrjen. Deri në mbërritjen e forcave zjarrfikëse, banorët e fshatit po përpiqen të mbajnë nën kontroll flakët me mjete rrethanore, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.