Pas zjarrit të rënë këtë pasdite në tregun industrial në zonën e plazhit të Durrësit, prefekti i qarkut, Emiljano Jani, ka dalë në një deklaratë për mediat, ku ka bërë me dije detaje mbi ndërhyrjen dhe gjendjen në terren.
Sipas tij, zjarri ka qenë masiv dhe i përhapur për shkak të strukturës së tregut, i ndërtuar me materiale të lehta dhe pa asnjë kriter sigurie teknike. Jani u shpreh se shkaku i mundshëm i zjarrit është një shkëndijë elektrike, për shkak të instalimeve jo standarde dhe infrastrukturës së përkohshme.
“Është një treg që nuk përmbush asnjë kriter dhe kusht të sigurimit teknik. Ndaj edhe zjarri u përhap me shpejtësi,” theksoi ai.
Prefekti falënderoi zjarrfikësit nga Durrësi, Shijaku, Kavaja, Kamza dhe Autoriteti Portual, për reagimin e shpejtë që bëri të mundur frenimin e flakëve përpara se të përfshinte të gjithë tregun, ku ndodhen mbi 20 dyqane që funksionojnë gjatë sezonit veror.
“Dëmet materiale janë të shumta, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima apo të lënduar. Punonjësit e zjarrfikëses dhe strukturat e emergjencës kanë bërë maksimumin për të shmangur tragjedinë,” shtoi Jani.
Aktualisht, puna për vënien nën kontroll të plotë të flakëve vijon, ndërsa hetimet për shkaqet zyrtare të zjarrit janë ende në proces.
Prefekti i Durrësit, Emiljano Jani: Zjarri i rënë në tregun industrial është masiv, janë angazhuar të gjitha forcat zjarrfikëset e Durrësit, Autoritetit Portual, bashkive Shijak dhe Kavajë, si edhe na janë bashkuar edhe nga zjarrfikësit e Kamzës. Furnizime me bote uji kanë qenë nga të gjitha institucionet Durrësit.
Dëme të konsiderueshme materiale.
Ende nuk kemi një vlerësim të saktë, siç edhe nuk dimë shkakun e zjarrit.
Mendohet të jetë edhe si shkak i një shkëndije elektrike, është një treg që nuk përmbush asnjë kriter dhe kusht të sigurimit teknik. Ndaj zjarri ishte kaq masiv. Është një treg që menaxhohet nga privati.
Dëmet ishin të shumta materiale por jemi të lumtur që nuk kishte viktima dhe pasoja në njerëz.
Puna për vënien nën kontroll të flakëve vijon ende.