Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu në orët e para të mbrëmjes së djeshme malin “Shashicë”, në afërsi të fshatit Kaninë, konkretisht në zonën e njohur si “Gryka e Zguros”.
Flakët përfshinë një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi të dendur dhe, për shkak të erës së fortë dhe terrenit të thyer, u përhapën me shpejtësi në drejtim të fshatrave Kaninë dhe Sherishtë, duke rrezikuar zonat e banuara si dhe stanet e bagëtive në afërsi.
Pas hetimeve paraprake, autoritetet kanë bërë të mundur ndalimin me iniciativë të një të dyshuari për zjarrvënie të qëllimshme. Bëhet fjalë për shtetasin E.F., banues në Kaninë, i cili zotëron një stan bagëtish pranë zonës ku dyshohet se u ndez zjarri.
Sipas burimeve zyrtare, dyshohet se motivi i zjarrvënies ka qenë hapja e kullotave të reja për bagëtinë – një praktikë e ndaluar me ligj, e cila ka sjellë pasoja të rënda për mjedisin dhe sigurinë e komunitetit lokal.
Ndaj të dyshuarit është ngritur procedim penal për veprën “Shkatërrim i pronës me zjarr”, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.