Një zjarr masiv ka përfshirë zonën e fshatit Kalasë në Njësinë Administrative Vergo, Bashkia Delvinë, duke avancuar me shpejtësi nga mali në drejtim të banesave. Dyshohet se flakët kanë nisur nga zona e Sasajt dhe po përparojnë me intensitet.
Për shkak të rrezikut serioz për jetën e banorëve, forcat e policisë kanë nisur evakuimin e të moshuarve dhe fëmijëve, ndërsa aktualisht në terren ndodhen vetëm dy mjete zjarrfikëse të Delvinës, të pamjaftueshme për përmasat e zjarrit.
Situata konsiderohet kritike dhe autoritetet kanë kërkuar ndërhyrje nga ajri për të vënë nën kontroll flakët dhe për të shmangur dëme më të mëdha në banesa e tokat përreth. Operacioni për shuarjen e zjarrit dhe mbrojtjen e komunitetit vijon.