Policia e Vlorës ka identifikuar dhe proceduar autorët e dyshuar të dy rasteve të zjarrvënieve në Konispol dhe Dukat.
Në Sarandë, u arrestua në flagrancë shtetasi R. L., 25 vjeç, banues në fshatin Shalës, Konispol, pasi theu masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe në bashkëpunim me shtetasin S. I., 51 vjeç, dyshohet se më 27 korrik, rreth orës 23:30, ndezën zjarr në një kullotë në fshatin Janjar. Flakët dogjën rreth 8 hektarë me barishte dhe shkurre. Ndaj S. I. ka nisur procedimi në gjendje të lirë.
Ndërkohë në Dukat, policia e Orikumit ka identifikuar si autor të një tjetër zjarri një 15-vjeçar, i cili dyshohet se ka ndezur flakët në një zonë me shkurre dhe bimësi në vendin e quajtur “Fëngu i Bozhanajve”. Edhe për të miturin është referuar materiali në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal.
Policia apelon për kujdes maksimal dhe paralajmëron ndëshkime për çdo akt zjarrvënieje që dëmton mjedisin dhe rrezikon jetën e qytetarëve.