Shqipëria po përballet me një situatë të rëndë nga flakët, me 21 vatra aktive të evidentuara në disa qarqe të vendit. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se Forcat e Armatosura, zjarrfikësit dhe Policia e Shtetit po punojnë në terren për të mbrojtur zonat e banuara dhe për të krijuar perimetra sigurie rreth vatrave më problematike.
Përveç operacioneve nga toka dhe avionit Canadair kroat, i cili ka vepruar në Krane të Finiqit dhe Lukovë të Himarës, në terren janë përfshirë edhe ekipe të Bazës Ajrore të Farkës, që kanë ndërhyrë në Ballaj, Zhabjak të Rrogozhinës dhe në Poliçan.
Gjatë orëve në vijim, flotës ajrore do t’i bashkohen dy helikopterë të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, një Canadair nga Greqia dhe dy helikopterë nga Çekia dhe Sllovakia, në kuadër të mekanizmit të mbrojtjes civile të BE-së.
Ndërkohë, Komiteti Shtetëror i Emergjencave Civile ka urdhëruar të gjitha bashkitë të jenë në gatishmëri maksimale, për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta që po e vështirësojnë kontrollin e flakëve.