Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë këtë të mërkurë pyllin me pisha në fshatin Lybeshë, Njësia Administrative Vërtop, Poliçan. Flakët janë përhapur me shpejtësi, të ndihmuara nga era dhe temperaturat e larta, duke rrezikuar një sipërfaqe të gjerë me bimësi të dendur.
Për shkak të terrenit të vështirë malor dhe mungesës së infrastrukturës rrugore, ndërhyrja ka qenë tepër e vështirë për mjetet zjarrfikëse. Në ndihmë të ekipeve të Poliçanit kanë mbërritur dy mjete zjarrfikëse dhe 7 efektivë nga Berati, si dhe dy fuoristrada të PMNZSH-së.
Përballë pamundësisë për të futur automjetet në zonën e zjarrit, zjarrfikësit dhe forcat e ushtrisë janë detyruar të përdorin mjete rrethanore dhe pompat e ujit të shpinës për të përballuar flakët.
Aktualisht, zjarri është lokalizuar, por situata mbetet e brishtë. Vatrat e vogla ende të ndezura paraqesin rrezik për riaktivizim, sidomos nëse përkeqësohen kushtet atmosferike. Autoritetet mbeten në gatishmëri për çdo përkeqësim të mundshëm të situatës.