Një zjarr masiv ka përfshirë sot fshatin Poshnje në bashkinë Dimal, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqe me pemë frutore dhe ullinj. Flakët u përhapën me shpejtësi për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta, duke rrezikuar edhe banesa të afërta.
Në terren u angazhuan menjëherë forcat zjarrfikëse të Dimalit dhe Beratit, si dhe forcat e ushtrisë nga Reparti i Ndërhyrjes së Shpejtë në Poshnje. Zjarrfikësit arritën të lokalizojnë flakët dhe të shmangin përhapjen e tyre drejt zonave të banuara.
Për përballimin e zjarrit u angazhuan edhe helikopterë të ushtrisë, të cilët hodhën ujë nga ajri mbi zonat më problematike.
Aktualisht, zjarri është vendosur nën kontroll, ndërsa ekipet në terren po monitorojnë vatrat e mbetura të nxehta për të shmangur riaktivizimin. Ende nuk ka një bilanc zyrtar të dëmeve, por sipas raportimeve paraprake janë shkrumbuar disa hektarë me kultura bujqësore, kryesisht pemë frutore dhe ullinj.
Hetimet për shkaqet e zjarrit janë në proces.